
Zidane, objektiv i Juventusit
“Juventusi ka kontaktuar me Zidanen”. Kjo është “bomba” indirekte që vjen nga
Spanja, e hedhur gjatë programit “El Chiringuito”.
Sipas kolumnistit Eduardo Inda,
shumë pranë qarqeve të Realit, e ardhmja e “Zizou” është larg Madridit. Prandaj,
kontaktet me drejtuesit e Juventusit janë shpeshtuar. Sezoni i “Merengues” ka qenë i luhatur deri më tani. Pavarësisht nga tri fitoret radhazi në La Liga, Reali është i dyti në renditje, 5 pikë pas Atletico Madrid.
Zidane, pavarësisht prej kontratës me klubin spanjoll, që skadon më 2022, është në diskutim dhe mund të largohet nga të bardhët në fund të këtij sezoni. E ardhmja e “Zizou” varet gjithashtu nga ecuria në Ligën e Kampionëve, ku Reali do të sfidojë si fillim Atalantën më 24 shkurt.
Në të ardhmen Zidane, sipas “El Chiringuito”, mund t’i ketë dy mundësi: Juventusin ose ekipin kombëtar francez, pasi federata franceze ka shprehur vazhdimisht dëshirën për ta pasur zëvendës të Didier Deschamps.