![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/12/IMG_6027.png)
Zjarr në burgun e Hajvalisë, të burgosurit nxirren jashtë
Mbrëmjen e sotme, një zjarr ka kapluar njërën prej dhomave të Qendrës së Paraburgimit në fshatin Hajvali të Prishtinës.
“Demokracia” ka mësuar se punonjësit e kësaj qendre janë detyruar t’i nxjerrin në oborr personat që po mbahen në paraburgim aty.
Sipas informacioneve, brenda kësaj qendre, zjarri ka ndodhur në bllokun B2.
Pas kësaj, punonjësit e qendrës së paraburgimit kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë sigurimin përreth burgut, që të mos largohet ndonjëri nga personat që po mbahen aty.
Fatmirësisht, zjarri nuk ka qenë i madh dhe nuk ka shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha.
Ndryshe, Qendra e Paraburgimit në Hajvali është institucion korrektues i tipit të mbyllur, e cila shërben për ekzekutimin e masës së paraburgimit të shqiptuar nga gjykatat.
Destinimi parësor i QP-Prishtinës është: Pranimi, Akomodimi dhe Trajtimi i të Paraburgosurve të moshës madhore të të gjitha kategorive.
Destinimi dytësor i QPPR-së është: Pranimi i një numri të të dënuarve për punë dhe aktivitete për nevoja të institucionit. Si Pilot-Projekt i veçantë i SHKK-së, brenda ambienteve të QP-Prishtinës është edhe Qendra për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve, e cila ka për qëllim vlerësimin e rrezikut dhe nevojave, si dhe klasifikimin e të burgosurve.
Nëpër procesin e vlerësimit në këtë qendër kalojnë të gjitha pranimet e reja, qofshin të dënuar apo të paraburgosur.
Kapaciteti i kësaj qendre është rreth 300 shtretër.