Zjarret në Kaliforni, 31 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur
Numri i viktimave nga zjarret e tërbuara në Kaliforni ka arritur tashmë në 31, duke tejkaluar kështu rastin me më shumë vdekje të regjistruara në historinë e këtij shteti, teksa ekipet e kërkimit gjetën edhe 6 trupa të tjerë në përpjekjet e tyre të ethshme mes rrënojave.
I mbiquajturi “Camp Fire”, i rënë në pyjet e zonës malore të Sierra Nevadës, në veri të Sacramentos, është më i madhi dhe më shkatërrimtari ndër dhjetëra “ferret” e këtyre ditëve, që kanë detyruar deri më sot evakuimin e mbi 250 mijë njerëzve, kanë shkrumbuar mbi 6.400 shtëpi në qytetin Paradise, aq sa thuhet madje ta ketë zhdukur nga harta.
“Sot janë rikuperuar edhe 6 trupa të tjerë të pajetë, duke e çuar numrin total në 29 viktima”, tha sherifi i zonës, Kory Honea në një konferencë për shtyp të së dielës vonë, në fundin e ditës së katërt të përpjekjeve të pazakonta për të përmbajtur flakët. Ai shtoi se të gjithë të pajetët e fundit janë gjetur në qytezën Paradise.
Të paktën 31 persona thuhet të kenë humbur jetën në zonat e prekura nga zjarri në veri e jug të Kalifornisë, atje ku tymi mbytës ka mbuluar qiellin dhe dielli vështirë se duket ndonjëherë. Në terren, makina të shumta shihen të shkrumbuara, të cilave iu ka mbetur vetëm skeleti, ndërsa shtëpitë janë kthyer në grumbuj mbeturinash që digjen, me ndonjë mur tullash apo oxhak të mbetur rastësisht në këmbë.
Megjithatë, dhjetëra njerëz rezultojnë të zhdukur, gjë që mund ta përkeqësojë ende bilancin e viktimave nga zjarret në Kaliforni. Disa zona të prekura nga zjarret thuhet të ketë mbetur edhe pa shërbim telefonik të lëvizshëm, për shkak të dëmtimit të infrastrukturës.