Zjarret në Kaliforni: Trump dhe zonja e Parë bashkë me Grenell përcjellin situatën nga afër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump shpalli një emergjencë kombëtare pasi të premten vizitoi Los Angeles dhe pjesën që është shkatërruar nga zjarret.
Trump udhëtoi për në Kaliforninë Jugore për të parë dëmet nga zjarret që kanë shkatërruar rreth 10 mijë struktura në Los Angeles dhe kanë marrë jetën e rreth 30 personave.
Presidenti dhe zonja e parë, Melania Trump më pas kanë parë dëmet nga afër, janë takuar me zyrtarët lokalë të zbatimit të ligjit, si dhe anëtarë të komunitetit në lagjet e shkatërruara.
“E pabesueshme” – u ka thënë Trump, gazetarëve.
Më pas, presidenti amerikan u ul në një tavolinë me kryetaren e Los Angeles, Karen Bass dhe zyrtarë të tjerë. Aty u pa i pranishëm edhe Richard Grenell, të cilin e ka emëruar emisar special për misione të veçanta.
Në një pikë të takimit, presidenti ka kritikuar kryetaren Bass që nuk ka përdorur fuqinë e saj për t’iu përgjigjur zjarreve.
“Ju keni fuqi për emergjenca siç kam unë…duhet t’i përdorni edhe ju” – ka thënë Trump.