Zjarret në një kamp në Greqi lënë afro 13,000 njerëz pa strehë
Zjarret shkatërruan kampin më të madh të migrantëve në Greqi, një objekt i mbipopulluar në ishullin Lesbos duke lënë afro 13,000 njerëz pa strehë.
Rreth 40 zjarrfikës luftuan me flakët në kampin Moria, i cili ishte i paraparë për më pak se 3,000 njerëz.
Ministri për Migrim i Greqisë, Notis Mitarachi, tha se zjarret “filluan nga azilkërkuesit”, por nuk dha më shumë detaje.
Policia i bllokoi rrugët nga kampi, për të penguar hyrjen e migrantëve në qytetet pranë.
Shumë prej tyre bënë përpjekje të depërtonin në qytetin port Mytilene, por hyrja u bllokua.
Sipas disa njoftimeve, shumë migrantë kanë fjetur nëpër fusha, pas zjarreve që shpërthyen të mërkurën herët.
Komisionarja e Bashkimit Evropian për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, tha se ka rënë dakord për financimin e strehimit të 400 adoleshentëve dhe fëmijëve të pashoqëruar në Greqi.