Zjarret në Portugali, kthejnë ‘makthin’ e vitit 2017
Më shumë se një mijë zjarrfikës janë përballur që nga orët e para të së dielës me zjarre që kanë çuar në evakuime fshatrash në Portugalinë qendrore.
Më shumë se një mijë zjarrfikës dhe 400 mjete janë dislokuar mëngjesin e të dielës në zonën malore dhe të pyllëzuar të Castelo Brankos, 200 kilometra në veri të Lisbonës.
Në përpjekjet për të shuar flakët janë angazhuar edhe rreth 20 avionë dhe helikopterë.
Një civil dhe të paktën shtatë zjarrfikës janë lënduar si pasojë e flakëve.
Ushtria po ashtu ka dislokuar trupa dhe makineri për tu ardhur në ndihmë zjarrfikësve. Disa rrugë kombëtare janë mbyllur dhe një numër fshatrash në rajon janë evakuuar.
Portugalia është ende e traumatizuar nga vdekja e dhjetëra njerëzve në zjarret e vitit 2017 me autoritetet që kanë marrë tani masa shtesë.
Por të ushqyer nga era e fortë, zjarret janë përhapur në tre drejtime të ndryshme që nga pasditja e të shtunës.
Gjashtë rajone në Portugalinë qendrore dhe jugore janë vënë në alarm maksimal për zjarre.