Zjarret shkatërrojnë një qytet të Kalifornisë
Drejtori i agjencisë amerikane të emergjencave, ka bërë me dije se një qytet i Kalifornisë, i shkatërruar nga zjarri, do të ketë nevojë për “rindërtim total” që do të zgjasë disa vite.
Brock Long, administrator i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, ka thënë se dëmi në Paradajs është “një nga fatkeqësitë më të rënda” që ai ka parë ndonjëherë.
Deri më tani, 56 njerëz janë gjetur të vdekur nga zjarri në këtë qytet, por 130 të tjerë mbeten të zhdukur.
Rreth 9 000 zjarrfikës aktualisht janë duke luftuar me zjarret në gjithë Kaliforninë.
Ken Pimlott, drejtor i shërbimit të zjarrfikësve në Kaliforni, ka thënë se është bërë përparim në kontrollimin e flakëve.
Zjarret, që kanë nisur rreth një javë më parë, u përshkruan si më të këqijat në historinë e Kalifornisë.
Historikisht, “stina e zjarreve” në Kaliforni fillonte në verë dhe zgjaste deri në vjeshtën e hershme, por ekspertët tani paralajmërojnë për rrezik gjatë gjithë vitit.
Kushtet e motit dhe ndryshimet klimatike shihen si shkaktarët kryesorë. (Rel)