Zjarrfikësit: Duam mjete shtesë në pagë, ndryshe protestojmë
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për paga shtesë për punëtorët e arsimit ka ngjallur pakënaqësi në mesin e zjarrfikësve të Kosovës. Këta të fundit thonë se gjithnjë po anashkalohen nga institucionet dhe paralajmërojnë protesta.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se janë të papranueshme vendimet e ekzekutivit dhe se janë ndjerë të harruar që nga fillimi i pandemisë.
Ai ka thënë se i japin Qeverisë afat deri të hënën e 25 janarit për të marrë një vendim, ndryshe do të pasojnë protestat.
“Nëse Qeveria ka mjete t’i shpërblejë kategoritë e tjera për mjete shtesë në pagë, dhe nuk i kryen obligimet të cilat janë të bazuara në ligje, atëherë kjo është e papranueshme për ne. Zjarrfikësit e kanë pritur këtë vendim dhe gjithsesi kanë kërkuar që t’i ngrisim shqetësimet që përmes organizimit sindikal, të paraqesim edhe protestë. Deri me 25 janar, deri ditën e hëne, nëse nuk na kontaktojnë të diskutojmë për kërkesat, ne do të dalim me datën e caktuar për protestë. Jemi kundër vendimeve selektive që bëhen domethënë në mënyrë të padrejtë. Nuk është trajtuar problemi drejt dhe jemi të anashkaluar si çdo herë, edhe në kohë të pandemisë njëjtë dhe zjarrfikësit janë absolutisht pa përkrahje as materiale. Zjarrfikëset janë pa mbikëqyrës, janë pa përkujdesje institucionale, përveç pagës bazë që marrin, asgjë nuk përfitojnë”, ka thënë Beka.
Beka shprehet se përveç statusit të zjarrfikësit i cili duhet të rregullohet me ligj, shton se nuk kanë vijë buxhetore të planifikuar, as nga Ministria e Punëve të Brendshme, as nga komunat dhe se askush nuk merr përgjegjësi për obligimet ndaj zjarrfikësve me kontratë pune.
Përveç kësaj, Beka thotë se është kërkuar që të kompensohen edhe ndërrimet e natës, festat shtetërorë por edhe orët shtesë, gjë që nuk kanë ndodhur deri më tani.
“Ne kemi kërkuar që pozita e zjarrfikëseve të rregullohet me ligj, të definohen kompetencat menaxhuese, në mes pushtetit lokal dhe nivelit qendror. Ligji për financa lokale nuk e lejon bartjen e buxhetit në nivel qendror nga komuna dhe kemi mbete pothuajse pa buxhet domethënë zjarrfikësit nuk kanë vijë buxhetore të planifikuar, as me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe as me komunat dhe askush nuk merr përgjegjësi për obligimet që kanë së paku ndaj zjarrfikësve me kontratë pune. Kemi kërkuar që koeficienti në nivel komunave të nivelizohet, mandej kemi kërkuar që rrezikshmëria të nivelizohet me Policinë e Kosovës, thuajse të njëjtat specifika të punës i kemi. Mandej kemi kërkuar që ndërrimet e natës të kompensohen, nuk janë kompensuar, festat fetare dhe shtetërorë nuk kompensohen dhe orët jashtë orari gjithashtu”, ka thënë Beka
Beka shton se zjarrfikësit punojnë edhe me kushte të rënda pune e në të njëjtën kohë ballafaqohen me mungesë të stafit të punës.
“Gjendja e zjarrfikësve të Kosovës nuk është e mirë, është e rëndë. Jemi në një pozitë të pa definuar, jemi pa status juridik të zgjedhur domethënë, as nuk jemi shërbyes civil, as publik edhe pse kontratat i kemi sipas Ligjit të shërbyesve civilë, mirëpo nuk është e definuar qartë. Jemi pa kushte të punës domethënë me pajisje të dobëta, jemi numër i vogël i zjarrfikësve, mosha mesatare është shumë e lartë, prej 2004, mund të them që shumë pak janë pranuar zjarrfikës në komunat e Kosovës”, ka thënë Beka.
Beka ka thënë se Sindikata e Zjarrfikësve ka bërë kërkesa të shpeshta që të takohet me ministrin e Punëve të Brendshme, por se kjo kërkesë asnjëherë nuk është pranuar. Ndërsa thotë se nëse edhe tani nuk pranojnë që të diskutohet për kërkesat e zjarrfikësve, ata nuk do ta ndalin protestën deri në arritjen e ndonjë marrëveshje.