Zjarrfikësit: Mos na detyroni që të protestojmë

23 korrik 2020 | 23:17

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës kanë kërkuar që në momentin e rishikimit të buxhetit të bëjnë vërejtjet e tyre dhe të angazhohen në mbrojtje të interesave të shërbimit të zjarrfikësve, duke siguruar mjete buxhetore dhe duke i krijuar kushte normale.

Në një letër publike drejtuar të gjitha institucioneve, kjo sindikatë thotë se për vite me radhë i janë drejtuar institucioneve të vendit porse ato nuk patën vullnet për t’iu dhënë atyre prioritet.

“Prandaj kërkojmë nesër që në rishikim të buxhetit, të gjitha institucionet qeveritare, nivelit Qendror, ministrive përkatëse, Deputetëve/e të bëjnë vërejtjet e tyre rreth votimit dhe të angazhohen që të mbrojnë interesat e shërbimit të zjarrfikësve, dhe të shqyrtohen mundësitë që të sigurohen mjete buxhetore dhe të na krijoni mundësi, të krijoni kushte normale dhe t’i kryeni obligimet që keni ndaj Zjarrfikësve të Kosovës, angazhohuni që shërbimi i të jetë funksional dhe të jetë i gatshëm që të kryej misionin në mënyrë te dinjitetshme”, thuhet në njoftim.

Përmes kësaj letre publike, kjo sindikatë thotë se në Komisionin për Buxhet dhe Transfere nuk është përkrahur amendamenti për kërkesat minimale tyre.

“Të gjitha institucionet janë të njoftuar në problemet e zjarrfikësve, që zjarrfikësit janë pa përkujdesje institucionale dhe kjo neglizhencë ka irrituar dhe revoltuar ka shkaktuar pakënaqësi të shumta dhe zjarrfikësit nuk janë në gjendje që këtë situatë ta përballojnë pa kufi, jemi në gjendje që për të shpëtuar jetë të rrezikojmë edhe jetën tonë, por nuk jemi të gatshëm që për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësive të institucioneve të jemi të rrezikuar, zjarrfikësit nuk kanë kushte minimale për punë, andaj veproni sa nuk është bërë vonë, është momenti i fundit të reflektoni pozitivisht”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, shërbimi zjarrfikjes dhe shpëtimit meriton tretman tjetër.

“Mos na detyroni që kërkesat tona të drejtat t’i kërkojmë në forma tjera, mos na detyroni që të protestojmë, nuk është vendi i Zjarrfikësve në rrugë, por në shërbim të qytetarëve, andaj veproni, për ndryshe pasojat do t’i bartni ju, nëse Qeveria nuk siguron mjete për t’ kryer obligimet ligjore, zjarrfikësit do t’ protestojnë, zjarrfikësit e kanë humbur durimin”, thuhet në letrën e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm gjatë së enjtes janë konfirmuar 13 raste të reja…