
Zjarri në Koçan: Të lënduarit me djegie të rënda dërgohen në gjashtë vend të huaja
Gjithsej 84 pacientë nga zjarri në një klub nate në jug të Maqedonisë së Veriut janë duke u mjekuar në spitalet e Shkupit, ndërsa 51 e lënduarit e tjerë janë dërguar jashtë vendit për shërim, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Sipas tij, pacientët në përgjithësi janë në gjendje të qëndrueshme.
Mjekët po luftojnë për shëndetin e të lënduarve një ditë pas tragjedisë në klubin e natës “Pulse” në Koçan, ku 59 të rinj të vdiqën nga zjarri dhe të paktën 155 u plagosën.
“Kam shokë që kanë vdekur dhe shumë të cilët janë lënduar dhe tani janë në spital në Shkup. Disa janë në gjendje kritike, disa jo”, tha Sara për Radion Evropa e Lirë, një 14-vjeçare, e cila sot ishte në qendër të Koçanit për të nderuar viktimat e zjarrit.
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut e pranoi ndihmën e ofruar nga shtetet e huaja për t’u kujdesur për të lënduarit. Deri më tani, 51 persona të lënduar janë dërguar për trajtim në gjashtë vende të ndryshme.
Fatmirësisht pacientët që u sollën dje në spitalet në mbarë vendin janë në gjendje stabile. Dhe ata që u transferuan jashtë vendit janë të gjithë në gjendje përgjithësisht stabile, tha ministri Taravari në një konferencë për media më 17 mars.
Njëzet nga të lënduarit që u dërguan për mjekim jashtë vendit, janë në gjendje të rëndë.
Sipas Taravarit, të lënduarit janë transportuar jashtë vendit jo sepse vendi nuk ka qendër djegieje, por për shkak se ka pasur një numër të madh të pacientëve. “Kemi përjetuar tronditje, djegie të më shumë se njëqind personave që duhet të trajtohen dhe është normale që nuk kemi kapacitet për t’i trajtuar mirë. Këta pacientë, për shkak të komplikimeve që vijnë nga djegiet, dhe që të gjithë janë të shkallës së dytë apo të tretë tashmë, janë në rrezik infektimi dhe synimi ynë ka qenë që t’i trajtojmë sa më mirë”, ka thënë ai.
Ku janë dërguar të lënduarit?
Në spitalet e Koçanit dhe Shtipit nuk janë duke u trajtuar më pacientë nga zjarri i Koçanit. Në Qendrën Klinike në Shkup janë duke u mjekuar 49 të lënduar, 18 në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe 17 të tjerë në Spitalin Kirurgjik “Shën Naum Ohërski”.
Nëntë pacientë janë dërguar në Turqi dhe janë përgjithësisht në gjendje të qëndrueshme, sipas Taravari. Në Bullgari janë dërguar 14 pacientë. Në Greqi po trajtohen pesë pacientë. 17 persona të lënduar janë dërguar në Serbi. Një vajzë dhe një djalë, të dy rreth 20 vjeç, u dërguan në Budapest të Hungarisë. Katër pacientë janë dërguar në Lituani.
Më shumë persona të lënduar do të dërgohen sot në spitalet e huaja – dy në Slloveni, katër në Kroaci dhe gjashtë në Austri.
Dymbëdhjetë pacientë të tjerë do të dërgohen me avion në Akademinë Mjekësore Ushtarake (MMA) në Beograd të Serbisë, bëri të ditur Taravari.
“Situata është plotësisht nën kontroll. Presim që të ketë sa më pak komplikime”, nënvizoi Taravari.
Qytetarët maqedonas që jetojnë jashtë vendit kanë ofruar në rrjetet sociale ndihmë dhe akomodim për familjarët e të plagosurve.
Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, ka njoftuar se do të propozojë që shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta i qeverisë t’i mbulojë shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit jashtë vendit për anëtarët e familjeve të pacientëve maqedonas që trajtohen jashtë vendit.
Djegiet dhe operacionet
Ministria bullgare e Shëndetësisë ka thënë se gjendja e 14 pacientëve të lënduar të shtruar në disa spitale në Bullgari është e rëndë, për shkak të djegieve dhe thithjes së gazrave të nxehtë.
Në spitalin “N.I. Pirogov” në Sofje janë pranuar tetë pacientë, tre prej të cilëve janë të mitur të moshës 15 dhe 16 vjeçe. Pesë të tjerët janë nga mosha 19 deri 31 vjeçe.
Tre persona të lënduar, të moshës 17, 20 dhe 15 vjeçe janë shtruar në spitalin për trajtim aktiv në Varna. Dy prej tyre janë në ventilim mekanik.
Në UMBAL “Rr. Georgi” në Plovdiv, tre pacientë të moshës 19, 21 dhe 49 vjeçe janë pranuar me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, si dhe dëmtime nga thithja e gazrave të nxehtë.
Në Qendrën Emergjente në Beograd të dielën janë pranuar nëntë persona të lënduar, njëri prej të cilëve ka lëndime jashtëzakonisht të rënda, të rrezikshme për jetën, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
“Të lënduarit që u dërguan në Qendrën Emergjente kanë djegie që variojnë nga dy deri në 28 për qind të sipërfaqes së trupit dhe ky është një vlerësim fillestar që nga mbrëmë. Disa nga të lënduarit kanë djegie në traktin e sipërm respirator”, ka thënë Millan Stojiçiq, drejtor i Klinikës për Djegie, Kirurgji Plastike dhe Rikonstruktive në Qendrën Klinike Universitare të Serbisë.
Sipas tij, të gjitha lëndimet mjekët në Klinikë i trajtojnë si lëndime të rënda, të rrezikshme për jetën.
Ekipet mjekësore nga Serbia, Republika Çeke, Izraeli dhe Belgjika kanë mbërritur në Maqedoninë e Veriut. Ata do të vendosen në klinika ku ka nevojë.