Zjarri në Radostë të Rahovecit dëmton 450 metra të hekurudhës
Njëzet traversa të hekurudhës në fshatin Radost të Rahovecit u përfshinë nga zjarri të premten. Dikush dyshohet se ndezi barin që pothuajse e ka mbuluar rrugën e trenit, duke i shkrumbuar edhe drunjtë e binarëve.
Kjo linjë është jashtë funksionit mirëpo ndërmarrja INFRAKOS e ka një rojtar i cili e mbikëqyr gjendjen e hekurudhës në këtë anë, dhe po i njëjti kishte vërejtur zjarrin e i kishte lajmëruar organet kompetente, raporton Klan Kosova.
Për segmentin rreth 450 metërsh ku s’ka kaluar tren qe një kohë të gjatë, organet e rendit kanë nisur hetimet dhe ende nuk ka të dyshuar.
Këta megjithatë po del se nuk i kanë shkaktuar dëm të madh financiar Ndërmarrjes Publike të Hekurudhave të Kosovës.
“Kjo linjë është jashtë funksionit dhe nëse do të vendoseshin në funksion traversat si përforcim i trupit hekurudhor, është dashtë që të ndërrohen, për shkak të amortizimit të tyre”, deklaroi Rafet Çitaku, zëdhënës në INFRAKOS.
Megjithatë vlera konkrete e djegies do të dihet gjatë javës nga raporti i komisionit vlerësues të INFRAKOS-it.