ZKA-ja dhe deputetët e Parlamentit të Kosovës intensifikojnë angazhimin për rritjen e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve

18 maj 2022 | 22:14

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën ka mbajtur punëtorinë “Rritja e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”.

Përveç drejtuesve të ZKA-së në punëtori kanë marrë pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP); Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT); deputetja e parlamentit suedez znj. Mia Sydoë Mölleby; ish deputetja e  Latvisë znj. Inguna Sudraba njëherësh edhe ish Auditore e Përgjithshme e Latvisë si dhe përfaqësuesit e Institucionit Suprem të Auditimit të Suedisë dhe SIGMA-s.

Të pranishmit kanë vlerësuar se kjo punëtori ishte një mundësi e mirë për të biseduar për një qasje të orientuar në rritjen e ndikimit Kuvendit dhe ZKA-së për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, rrjedhimisht ndikimin në avancimin e menaxhimit të financave publike.

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka thënë se për ZKA-në është thelbësore zbatimi i rekomandimeve, si një nga objektivat kryesore që sjell përmirësim dhe avancim të menaxhimit të parasë dhe pasurisë publike. Bashkëpunimi me të dy Komisionet e Kuvendit është tepër i rëndësishëm për të nxitur dhe shtyrë përpara proceset që ndihmojnë në punën e ZKA-së. “Është obligim ligjor, që ne si dy institucione përgjegjëse, njëra për kontroll e tjetra për ligjvënie dhe mbikëqyrje, në këtë rast të financave publike të funksionojmë si dy mekanizma të pandara që i shërbejnë vendit në rritjen e kontrollit dhe përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike”, ka deklaruar znj. Spanca.

Tutje Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se rritja e ndikimit të punës së ZKA-së, përkatësisht zbatimin e rekomandimeve të auditimit vë në pah nevojën për të ndërmarrë masa  konkrete  për adresimin e rekomandimeve nga  ana  e  krerëve të institucioneve publike duke intensifikuar kontrollet dhe monitorimin e vazhdueshëm të planeve të  veprimit për zbatim të  rekomandimeve. “Pavarësisht punës së ZKA-së dhe angazhimit të Kuvendit në nxitjen dhe sensibilizimin e zbatimit të rekomandimeve, niveli i zbatimit të tyre ende nuk është i duhuri. Në bazë të raporteve të auditimit, rezultatet tregojnë se vetëm 45% të rekomandimeve të vitit 2019 janë zbatuar, e cila tregon një rritje te lehtë krahasuar me vitin 2018 qe ishte 40%”, është shprehur znj. Spanca.

Auditorja e Përgjithshme, ka folur gjithashtu për progresin e zbatimit të planit të auditimit për sezonin 2021-22, duke thënë se nga raportimet dhe rezultatet e deritashme, vërehet se gjendja e menaxhimit të financave publike dhe raportimit financiar nuk është më mirë se në vitin e kaluar e në disa raste gjendja ka indikacione se është edhe më e renduar. “Kjo reflektohet në veçanti në institucionet e qeverisjes lokale dhe në ndërmarrje publike për të cilat vlerësohet se kanë dështuar të zbatojnë kontrolle të brendshme adekuate për të parandaluar parregullsitë. Tek institucionet lokale, situata mund të jetë e renduar për shkak  të faktorëve, si; mbajtja e  zgjedhjeve lokale, sfidat me pandeminë apo faktorë të tjerë. Ndërsa tek Ndërmarrjet Publike, mungesa e auditimit për vite me radhë konsiderohet se ka qenë ndër faktorët kryesor”, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), Armend Muja, pasi ka vlerësuar rëndësinë e auditimeve që kryhen nga ZKA dhe ka shpreh vlerësime të larta për punën e saj, ka theksuar nevojën për të gjetur mënyra të reja shtesë për të ushtruar ndikimin e Kuvendit në zbatimin e rekomandimeve. Z. Muja ka thënë se përveç angazhimeve të tjera një kulturë e follow-up (përcjelljes) së zbatimit të rekomandimeve duhet të zhvillohet në ardhmen për të forcuar ndikimin në zbatimin e tyre.

Zëvendës kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP), Arta Bajralija, ka theksuar se niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga institucionet publike është shqetësuese për Kuvendin dhe në këtë drejtim ka ngritur nevojën për rritjen e llogaridhënien nga palët përgjegjëse. Ajo ka përmendur se KMFP, gjatë vitit shqyrton rreth 30 raporte të auditimeve të kryera nga ZKA, si dhe ka theksuar nismën e këtij Komisioni për të zhvilluar vizita në institucione dhe aktivitete tjera për të mbikëqyr zbatimin e Ligjit për Kontroll të Brendshëm të Financave Publike.

Të dy përfaqësuesit e Komisioneve kanë falënderuar pjesëmarrësit suedez dhe të Latvisë për gatishmërinë e treguar për të bartur tek ne përvojat e tyre në lidhje më këtë fushë.

Gjatë kësaj punëtorie, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të ata të parlamentit suedez dhe Latvisë  kanë ndarë përvojat dhe praktikat e tyre me qëllim të rritjes së ndikimit të punës së tyre në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

Deputetja suedeze Mia Sydoë Mölleby dhe Dag Levin Sparr, Këshilltar i Lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) prezantimet e tyre i kanë fokusuar tek rritja e ndikimit të punës së ZKA-së. Ata kanë ndarë me të pranishmit praktikat e mira të Parlamentit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për shqyrtimin e raporteve të auditimit dhe bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve për të siguruar menaxhimin e mirë të fondeve publike dhe mbajtur përgjegjës krerët e organizatave buxhetore.

Kurse ish Auditorja e Përgjithshme dhe ish deputetja e Parlamentit të Latvisë, njëherësh eksperte e angazhuar nga SIGMA, Inguna Sudraba, ka prezantuar perspektivën e bashkëpunimit të Institucioneve Supreme të Auditimit me Parlamentin.

Ndërsa Alastair Swarbrick, këshilltar i lartë për politika të financave publike dhe auditimit, SIGMA, ka folur lidhur me përshtypjet e palëve të jashtme për ZKA-në, me ç’rast ka prezantuar rezultatet e anketimit nga të cilat ka rezultuar se këto përshtypje vazhdojnë të theksojnë besueshmërinë e lartë në këtë institucion.

Ndër konkluzionet kryesore të nxjerra nga kjo punëtori ka qenë nevoja e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit për ti mundësuar kësaj zyre të orientojë planet e  auditimit në fusha më rrezik të lartë, me prioritet dhe interes për Kuvendin dhe publikun në përgjithësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli francez, Franck Ribery nuk është duke menduar akoma për…