ZKA-ja: Humbja mesatare e ujit gjatë vitit 2021 ishte 55 për qind

10 gusht 2023 | 16:54

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit te qytetarët nga KRU-të” për periudhën 2019-2021.

Auditimi ka konstatuar se procesi i planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU-të) dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) nuk është menaxhuar mirë duke ndikuar që objektivat e synuara të mos arrihen me kohë dhe në mënyrë të duhur.

Planifikimi i investimeve kapitale nga KRU-të është përcjell me disa mangësi si: mungesa e Planit të Menaxhimit të Aseteve dhe Planit Afatgjatë të Investimeve; mungesa e arsyeshmërisë së qëndrueshme të investimeve; mungesa e prioritizimit të projekteve; si dhe mosharmonizimi i Biznes Planit Rregullator dhe Planit të Biznesit.

Rezultatet e auditimit tregojnë se humbjet e ujit janë evidente dhe rezultojnë me humbje financiare. Problemi i humbjeve të ujit për shkaqe teknike dhe kyçjeve ilegale si dhe vlerat e ujit të pafaturuar mbeten ende sfidë. Edhe pse kishte një zvogëlim të lehtë të humbjes së ujit, humbja mesatare e ujit gjatë vitit 2021 ishte 55 për qind.

Në raport theksohet se dështimi i realizimit të projekteve të planifikuara dhe mosadresimi i humbjeve të ujit dhe ripërtrirjes së infrastrukturës, ka ndikuar që tarifat e qytetarëve për investimet kapitale të mos përdoren në mënyrën e duhur.

Çështje kritike mbetet monitorimi joadekuat i investimeve kapitale në Kompanitë Rajonale të Ujit, duke paraqitur rreziqe në menaxhimin dhe realizimin e projekteve. Njëkohësisht edhe zgjerimi me shërbime të ujit dhe trajtimi i ujërave të ndotura nëpër zonat e shërbimit nga KRU-të vazhdon të përcillet me probleme dhe me një performancë të dobët dhe për këtë qytetarët në zona të caktuara nuk marrin shërbime të ujit.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka vlerësuar se veprime konkrete duhet të ndërmerren nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit për përmirësimin e procesit të planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale.

Spanca ka deklaruar se mungesa e planifikimit të bazuar në nevoja dhe arsyetim të hollësishëm ka rezultuar me mangësi në prioritizimin e investimeve në sektorin e ujërave dhe, për pasojë, ka pasur vonesa dhe dështime në realizimin e projekteve si dhe shfrytëzim joefektiv të tarifave të qytetarëve.

Me qëllim të përmirësimit të procesit të planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime, prej tyre 11 për Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, katër për Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit si dhe një rekomandim për Ministrinë e Ekonomisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa mediet italiane kanë shkruar vazhdimisht për Shqipërinë dhe fluksin…