ZKA-ja: Mangësitë në menaxhimin e proceseve të IT-së rrezikojnë integritetin e E-Prokurimit

03 gusht 2023 | 16:01

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi elektronik i prokurimit publik E-Prokurimi” për periudhën 1 janar 2017 – 30 qershor 2023. Rezultatet e auditimit kanë treguar se E-Prokurimi ka ndihmuar në rritjen e efikasitetit, efektivitetit dhe transparencën e zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit publik, mirëpo ka mangësi në proceset e teknologjisë së informacionit që ndikojnë në ruajtjen e vazhdueshme të qëndrueshmërisë dhe integritetit të këtij sistemi.

Ky auditim ka vë në pah se në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) nuk ka ndarje të duhur të detyrave të zyrtarëve të TI-së, prandaj kryerja e detyrave kyçe për funksionimin e sistemit bëhet nga operatorët ekonomik të jashtëm, duke rrezikuar që të krijohet varësi ndaj palëve të treta. Po ashtu, KRPP-ja nuk është mjaftueshëm efikase ndaj menaxhimit të problemeve në sistem, për rrjedhojë mund të rrezikojë që t’i zbatojë të gjitha detyrat, përgjegjësitë dhe të arrijë objektivat, si dhe rrezikon vazhdimësinë e operimit të këtij sistemi.

“Gjithashtu kontrollet hyrëse dhe siguria e E-Prokurimit kanë nevojë për zhvillim të mëtejshëm. Në modulet e këtij sistemi nuk ishin të vendosura kontrollet apo kufizimet e nevojshme si dhe ndërlidhjet me sistemet bazë të Republikës së Kosovës, për parandalimin e procedimit të të dhënave të pasakta, e në veçanti të dhënat e përdoruesve. Po ashtu politikat për siguri të informacionit nuk ishin të plota. Llogaritë e pavlefshme nuk identifikoheshin që të pasivizohen, ndërsa fjalëkalimet ndryshohen rrallë nga përdoruesit. Për hapjen e llogarive në këtë sistem janë përdor email-e privat, madje i njëjti email është përdorur për hapjen e më shumë se një llogarie duke ekspozuar kredencialet e përdoruesve tek personat tjerë”, ka njoftuar ZKA-ja, duke bërë me dije se rezultatet e auditimit tregojnë se rreth 50 për qind e përdoruesve nuk u janë përmbajtur kushteve dhe termave për përdorimin e E-Prokurimit si dhe udhëzimeve administrative për llogaritë elektronike zyrtare.

“Llogaritë elektronike si dhe aktivitetet që realizoheshin nga këto llogari nuk janë monitoruar nga autoritetet kontraktuese që e kanë obligim mirëmbajtjen e përdoruesve të tyre dhe as nga KRPP-ja si pronare e kësaj platforme. Hapja e panevojshme e llogarive të përdoruesve, mungesa e mbylljes së përdoruesve pasiv si dhe mungesa e monitorimit të llogarive të përdoruesve ndër të tjera dobësojnë punën e platformës së prokurimit elektronik, rrisin rrezikun e kërcënimeve të sigurisë së informacionit si dhe mundësinë e keqpërdorimit të llogarive për aktivitete jashtë rregullave të prokurimit publik”, ka njoftuar ZKA-ja.

Lidhur me këtë auditim, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka vlerësuar se procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në menaxhimin e proceseve të teknologjisë së informacionit që ndikojnë në ruajtjen e vazhdueshme të qëndrueshmërisë dhe integritetit të Sistemit elektronik të prokurimit publik E-Prokurimi. Prandaj, Spanca ka rekomanduar forcimin e kontrolleve në këtë sistem.  Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 13 rekomandime për Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik me qëllim të përmirësimit të mbështetjes së vazhdueshme të procesit të prokurimit publik si dhe ruajtës së integritetit të sistemit E-Prokurimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në miqësoren e fundit të zhvilluar në Amerikë, Chelsea nuk…