ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve
Në përputhje me mandatin ligjor, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Planin vjetor të auditimit për sezonin 2023/2024.
ZK-ja ka njoftuar se për sezonin e ardhshëm autitues ka paraparë të kryejë 123 auditime.
“Plani adreson përmbushjen e obligimeve kushtetuese e ligjore si dhe përmban informatat relevante në lidhje me auditimet e përzgjedhura nga auditorja e përgjithshme, përfshirë projektet, aktivitetet, afatet, burimet e nevojshme, buxhetin, rezultatet dhe rreziqet me të cilat mund të ballafaqohet ZKA-ja.
Për sezonin auditues 2023/24, ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve, prej tyre 85 auditime për organizatat buxhetore, 8 projekte të financuara nga fondet e jashtme, 13 ndërmarrje publike, 16 auditime të performancës, si dhe Raportin vjetor të auditimit”, ka njoftuar ZKA-ja.
ZKA-ja ka treguar se përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë të përcaktuara me ligj, fokus i veçantë i është dhënë edhe auditimit të ndërmarrjeve publike me interes të veçantë si dhe projekteve kapitale me peshë të lartë financiare.
“Ndërsa auditimet e performancës mbulojnë fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturore e sportive, si dhe tema të rëndësishme në prokurim publik. Përzgjedhja e temave të performancës është bërë më kontributin e shoqërisë civile, organizatave profesionale, komunitetit të donatorëve dhe ekspertëve të fushave, si dhe bazuar në vlerësimin e ndikimit në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe përmirësimin e qeverisjes”, ka njoftuar ZKA-ja.