ZKA-ja prezanton raportin e performancës ‘Siguria e ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit’
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të enjten ka bërë prezantimin publik të raportit të performancës “Siguria e ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”, ku morën pjesë përfaqësues nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Komuna e Gjilanit, shoqëria civile dhe mediat.
Me këtë rast zëvendësauditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, tha se qëllimi i këtij auditimi ka qenë identifikimi i sfidave në sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor, si dhe dhënia e rekomandimeve për të përmirësuar sigurinë në ushqim.
Salihu tha se mungesa e koordinimit adekuat në mes të institucioneve qendrore dhe lokale po krijon vështirësi në kryerjen e punëve si duhet.
Sipas Salihut, një problem tjetër vazhdon të mbetet edhe mostransferimi i inspektorëve nga komunat te Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Ndihmësauditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, prezantoi konkluzionet kryesore të këtij raporti, me ç’rast tha se auditimi ka nxjerrë në pah se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor.
Ajo theksoi se po ashtu AUV-i ende nuk ka një regjistër të plotë të kompanive që merren me tregun e produkteve me prejardhje bimore e shtazore dhe kjo e rritë rrezikun që Agjencia të mos ketë shtrirje të kontrollit të saj në tërë tregun për produkte bimore dhe shtazore.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si organ përgjegjës për të ofruar siguri në ushqim ka hartuar rregullore dhe procedura standarde të operimit dhe listat kontrolluese, të cilat i shfrytëzon për sigurinë e ushqimit. Megjithatë, auditimi ka nxjerrë në pah se këto procedura nuk mbulojnë tërë procesin e sigurisë së ushqimit në treg dhe ato nuk janë duke u zbatuar mjaftueshëm për të siguruar se ushqimi është i kontrolluar si duhet dhe ka siguri për konsumatorin. Listat kontrolluese, të cilat i përdor AUV-i nuk adresojnë të gjitha kërkesat për ushqim si dhe parimet Analizës se Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik i njohur si HACCP”, u shpreh Spanca.
Më tutje, Spanca deklaroi se inspektorët komunalë nuk janë transferuar në AUV, si dhe nuk ka koordinim të mirë të kontrolleve në mes nivelit qendror dhe atij lokal.
Ndërkohë, Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informative, Samir Zymberi, tregoi se auditimi ka mbuluar periudhën e vitit 2018 dhe gjashtëmujorin e parë të viti 2019. Zymberi tha se objektivë e këtij auditimi ka qenë që të vlerësohet nëse në institucionet përgjegjëse është vendosur një sistem adekuat për të ofruar siguri në ushqim.
“Rezultatet e auditimit tregojnë se përkundër përpjekjeve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë siguria në ushqim mbetet ende një sfidë e cila kërkon veprime të mëtutjeshme përmirësuese në këtë proces”, theksoi Zymberi.
Ai tregoi se me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së sigurisë së ushqimit Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 15 rekomandime për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Kurse, udhëheqësja e ekipit, Fexhrie Thaqi, prezantoi para të pranishmëve në detaje të gjeturat e raportit “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”.
Përfaqësuesit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe të Komunës së Gjilanit janë pajtuar me të gjeturat e raportit të auditimit të performancës “Siguria e ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit” si dhe kanë shprehur gatishmërinë për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.