ZKA-ja: Raporti i Progresit kërkon angazhim sistematik për zbatimin e rekomandimeve të auditimit

14 tetor 2022 | 15:52

Puna dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) janë adresuar në Raportin e Progresit për Kosovën i publikuar të mërkurën nga Komisioni Evropian në kuadër të Pakos së Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE).

Një prej çështjeve të adresuara në këtë raport është theksuar nevoja për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Më tutje është thënë se këto ndryshime do të mundësonin rritjen e numrit të auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditimeve të performancës.

“Në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, korniza kushtetuese dhe ligjore e Kosovës parasheh funksionimin organizativ dhe pavarësinë financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës duhet të ndryshohet, për të hequr obligimin për të kryer auditime të rregullsisë çdo vit për të gjitha organizatat buxhetore, pavarësisht nga madhësia e tyre, kompleksiteti dhe rreziku në mënyrë që auditimet të përzgjidhen bazuar në vlerësimin e nivelit të rrezikut të financave publike. Këto ndryshime do të rrisnin numrin e auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditimeve të performancës”, është thënë në raport.

Në raport është theksuar se është shënuar një rritje prej pesë për qind e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, nga 45 për qind sa ka qenë në vitin paraprak, në 50 për qind në 2020.  Megjithatë, është kërkuar nga Qeveria dhe institucionet tjera publike angazhim më i madh që të sigurojnë një përcjellje sistematike për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm.

Ndër të tjera, Komisioni Evropian ka vlerësuar institucionet e pavarura, veçanërisht Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Avokatin e Popullit, për adresimin e të drejtës së qytetarëve për administrim më të mirë, megjithatë është potencuar se rekomandimet e këtyre institucioneve nuk po zbatohen në mënyrë efikase nga institucionet publike.

Në raport është vlerësuar edhe bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Kosovës, përkatësisht shqyrtimi i raporteve të auditimit nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP). “Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar 25 raporte të auditimit, prej të cilave 6 raporte të ministrive, 9 raporte të auditimit të performancës dhe 7 raporte të ndërmarrjeve publike”, është thënë në raport.

Po ashtu është vlerësuar rritja e numrit të auditimeve të performancës, bashkëpunimi me shoqërinë civile, si dhe qëndrueshmëria e ZKA-së sa i përket kapacitetit të resurseve njerëzore.

“Kapaciteti institucional i Zyrës mbetet kryesisht i qëndrueshëm me 165 punonjës deri në fund të vitit 2021, prej të cilëve 82% janë staf auditues duke përfshirë pozitat drejtuese dhe 18% janë staf  profesional. Zyra ka finalizuar 14 raporte të auditimit të performancës, krahasuar me 11 në vitin 2020. Ajo ka punuar me organizatat e shoqërisë civile, veçanërisht në nivel lokal, për të përmirësuar ndikimin e punës së auditimit përmes mbajtjes së debateve publike në komuna për rekomandimet e auditimit”, është theksuar më tutje në këtë raport.

Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe hartimit të Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2022-2025  dhe objektivave të këtij plani përfshirë kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në auditim si dhe certifikimin e stafit auditues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtor…