Zogaj: Gjyqtarët serbë nuk kanë bërë kërkesa për rikthim në punë
Asnjë nga 24 gjyqtarët serbë që kanë dhënë dorëheqje në nëntor 2022 nuk kanë kërkuar rikthim në vendet e punës. Ndërsa procesi për këta gjyqtarë vazhdon të jetë pezull. Kështu ka thënë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj.
Ai ka thënë se kjo çështje do të trajtohet vetëm në kuadër të KGjK-së.
Ai në një intervistë për “Kosovapress”, ka deklaruar se përkundër përgjysmimit të stafit Gjykata Themelore në Mitrovicë ka rritur efikasitetin e saj.
Zogaj ka potencuar se si KGjK në vazhdimësi kanë hapur konkurse për plotësim të pozitave vakante në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, por synimi asnjëherë nuk ka qenë të zëvendësohen 24 pozitat e gjyqtarëve serbë të dorëhequr.
Sa i përket insistimit të Zyrës Kombëtare të Auditorit për auditim në gjykata themelore për efikasitetin në trajtimin e lëndëve civile, Zogaj ka thënë se ky auditim nuk do të ndodhë pasi përbën ndërhyrje flagrante në punën e gjyqësorit.