Zogaj: Kosova e Serbia ende larg arritjes së marrëveshjes historike
Profesori i Universitetit të Prishtinës, Agim Zogaj, ka vlerësuar se marrëveshja finale apo historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ende e largët.
Ai ka theksuar se Serbia po vazhdon të punojë kundër Kosovës. “Pikëpamja ime është se jemi ende larg për të arritur një marrëveshje historike ndërmjet dy shteteve. Dialogu është proces, por Serbia po vazhdon të punojë kundër Kosovës, duke u përpjekur të minimizojë arritjet e Kosovës”, ka thënë Zogaj për “RTK”-në.
Sipas tij, nëse nuk ka njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, dialogu nuk mund të quhet përmbyllje e tij.
“Kosova duhet të njihet nga Serbia që të kemi një marrëveshje historike. Deri më tani Serbia nuk ka treguar gatishmëri të madhe për të pasur një marrëveshje historike. Nuk ka pozicion paqësor nga Serbia, nëse i krahasojmë deklaratat dhe retorikën e Serbisë ndaj Kosovës”, ka thënë Zogaj.
Zogaj ka thënë se pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë kurrfarë arritje.