Zogaj: Titullin e Gjermanisë, pastaj të botës

15 nëntor 2018 | 09:00

Altin Zogaj është një nga sportistët shqiptar që po e prezanton në mënyrën më të mirë Kosovën. 25-vjeçari që jeton dhe vepron në Shtuttgart të Gjermanisë ka zhvilluar tri meçe në boksin profesionist dhe në të tria ka dalë fitimtar. Zogaj për “Epokën e re” ka treguar se synimi i tij është fillimisht titulli i kampionit në Gjermani, më pas titulli i kampionit të botës në boks.

Boksieri shqiptar nga Komorani i Drenasit, Altin Zogaj, është duke garuar fuqishëm në boksin profesionist, pasi këtë muaj e regjistroi edhe fitoren e tretë me radhë ndaj boksierit hungarez Istvan Zeller, në kategorinë gjysmë të rëndë, deri në 79.3 kg.

Altin Zogaj për “Epokën e re” ka treguar në detaje luftën e fituar më 3 nëntor në Wangen të Gjermanisë. “Nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi kundërshtari ka qenë i papërshtatshëm. Ai e kishte syrin e mirë, sepse dinte të mbante distancën për faktin se ka 38 fitore në profesionalizëm, kurse unë nuk kam aq ndeshje të zhvilluara në karrierën time. Ai është një boksier që nuk ta mbushë shumë syrin, por në ring ishte kundërshtar i vështirë falë përvojës së madhe. Kur luftoja nga afër për ta goditur, dinte shumë mirë të shmangej”, ka thënë Zogaj, i cili falënderon të gjithë familjarët, edhe shqiptarët për përkrahjen e madhe që i kanë dhënë, kurse shpreson se edhe në të ardhmen të ketë përkrahje. “Falënderoj të gjithë familjarët dhe shqiptarët anekënd botës për përkrahjen e vazhdueshme. Pikërisht kjo përkrahje po më bën edhe më të fortë që të vazhdoj suksesshëm. Synimi im është mos t’i dëshpëroj asnjëherë të gjithë ata që janë mbështetësit e mi”, ka thënë boksieri 25-vjeçar.

Njërën nga fazat përgatitore për meçin e fituar ndaj Istvan Zellerit, Zogaj e ka bërë me trajnerin e ish-boksierit të famshëm shqiptar, Luan Krasniqi. Lidhur me punën me këtë trajner, Zogaj ka deklaruar: “Fazën e tretë të përgatitjeve për meçin e fundit e kam bërë në Berlin, përkatësisht te ‘Agon Sports’ me ish-trajnerin e Luan Krasniqit, Torsten Schmitz. Më ka përgatitur shumë mirë dhe nuk e përjashtoj mundësinë që në të ardhmen të punoj me të”.

Fotografia e Team Zogaj

Altin Zogaj ka bërë edhe një krahasim në mes të boksit amator dhe atij profesional. “Jam i kënaqur që kam kaluar në boksin profesionist, pasi gjithçka është duke më shkuar mirë, por këtu është shumë më vështirë sesa në boksin amator. Atje kanë qenë vetëm tri raunde dhe dorëzat ishin më të trasha dhe nuk ke ndier shumë dhimbje, kurse tash ka më shumë raunde dhe thjesht çdo meç është përballje burrash”, ka shtuar ai.

Duke folur për ambiciet në të ardhmen, bokseri Zogaj është tepër i matur dhe si synim para vetës ka garimin për titullin e kampionit në Gjermani, kurse objektivi kryesor mbetet titulli i botës. “Ekziston mundësia që në dhjetor të bëj ndonjë meç, kurse vitin tjetër të tentoj të luftoj për ndonjë titull kampioni të Gjermanisë. Në të ardhmen synimi im i madh është të bëhem kampion i botës, të arrij këtë sukses që ende nuk e ka arritur asnjë shqiptar. Megjithatë, për këtë sukses duhen vite, por edhe shumë punë”, ka deklaruar Zogaj.

Fotografia e Fisnik Muharremi

Futbollisti i rikthyer në boksier të pamposhtur

Një fakt interesant është se Altin Zogaj ka qenë një futbollist i talentuar, por më pas e braktisi futbollin për ta vazhduar karrierën në boks. “Historia ime është interesante. Sa isha fëmijë kam filluar të luaj futboll. Gjithçka shkonte si më së miri, por më është dashur të largohem nga ky sport për shkak të fakultetit. Më pas shtova disa kilogramë dhe në vitin 2015 vëllai, Miloti, më propozoi të ushtroj boks vetëm për të hequr disa kilogramë. Në këtë mënyrë sporti i boksit më hyri në zemër dhe nuk do ta braktis asnjëherë. Në mesin e vitit 2015 e deri në 2018-n kam garuar në boksin amator, kurse tash jam boksier profesionist. Më pëlqejnë sportet individuale, pasi gjithçka varet nga vetvetja, derisa në futboll për të arritur deri te suksesi nuk mjafton që vetëm një të jetë i mirë, se ajo është lojë kolektive”, ka shtuar Zogaj.

Fotografia e 1.FC Normannia Gmünd

“Marshi i UÇK”-së e bën të pathyeshëm Altinin

Boksieri shqiptar Altin Zogaj, krahas suksesit në sportin e boksit, nuk e harron asnjëherë vendin e lindjes, Kosovën. Madje ai ndihet edhe patriot, që dëshmon fakti se gjithmonë në ring hyn me tingujt e këngës “Marshi i UÇK”-së. “Ndihem dhe jam patriot. Këtë e kam trashëguar nga familjarët të cilët kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithmonë kam qenë i lidhur shpirtërisht me Ushtrinë Çlirimtare dhe me Kosovën, prandaj të gjitha veprat e mia të suksesit janë për Kosovën. Kënga ‘Marshi i UÇK’-së më jep adrenalinë para çdo meçi dhe disi më bën të pathyeshëm përballë kundërshtarëve, ashtu sikurse i bënte edhe ushtarët e lirisë në luftimet përballë armikut”, ka deklaruar Zogaj, i cili në fund premton se gjithmonë do të boksojë për shtetin e Kosovës.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët shtetërorë kanë shtuar përpjekjet për të lobuar në vende…