Zona Shengen nuk është më funksionale, sipas presidentit rumun
Sipas presidentit të Rumanisë, Klaus Iohannis, zona Shengen nuk funksionon më.
Konkluzioni i tij para Këshillit Evropian ka ardhur si përgjigje ndaj kundërshtimit të vazhdueshëm të Austrisë për pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në Zonën Shengen.
Iohannis ka konsideruar se argumentet e Austrisë për anëtarësimin e vendit në zonën pa kufij nuk janë transparente.
Sakaq, Austria ka thënë qartë se nuk ka asgjë kundër Rumanisë dhe Bullgarisë. Mirëpo, kundërshton zgjerimin e zonës Shengen.
Në fillim të këtij muaji, kancelari austriak Karl Nehammer ka ravijëzuar se vendi i tij ruan veton kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në Zonën Shengen.
Ai po ashtu ka shtuar se vendimi nuk ka të bëjë fare me të dy vendet.
Por Nehammer ka pranuar përpjekjet e të dy vendeve ballkanike në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së.
Më parë, kancelari austriak ka thënë se Zona Shengen duhet të reformohet, duke theksuar se përderisa nuk funksionon, nuk ka kuptim të zgjerohet më tej.
Presidenti rumun ka thënë gjithashtu se marrëveshja e Shengen-it pothuajse nuk ekziston më pasi disa vende kanë rifutur kontrollet kufitare si pasojë e emigracionit dhe situatës në Lindjen e Mesme.
Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, Austria bllokoi pranimin e Rumanisë në Zonën Shengen, duke përmendur shqetësimet e migrimit të parregullt.
Në fillim të këtij muaji, ministri i Brendshëm i Spanjës Fernando Grande-Marlaska, ka shprehur shpresat e tij se pranimi i Rumanisë dhe Bullgarisë në Zonën Shengen do të finalizohej në dhjetor të këtij viti, duke theksuar se çështja është ndër prioritetet kryesore të Spanjës.
Kjo e fundit aktualisht mban presidencën e radhës gjashtëmujore të Këshillit të BE-së.
Por qëndrimi i Austrisë mbetet i njëjtë.
Sakaq, Bukureshti ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Austrisë lidhur me bllokadën e Shengenit.
Kryeministri rumun Marcel Ciolacu ka thënë se nëse Vjena ruan veton e saj në dhjetor të këtij viti në mbledhjen e Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, Rumania ka të drejtë të kundërshtojë vendimin në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Ciolacu – duke theksuar se Rumania dhe Bullgaria kanë përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme për më shumë se dhjetë vjet – e ka konsideruar pozicionin e Austrisë të pajustifikuar.
Marrë nga “Schengen Visa Info”, përshtatur për “Albanian Post”.