ZONAT E ERRËTA DHE REPUBLIKA POETIKE

18 tetor 2024 | 09:23

Adem Gashi

Tema bosht e këtij mitingu (Letërsia dhe Demokracia) që në nismë na udhëzon për një interpretim sipas fahut të sociologjisë letrare. Megjithëse imediate, një temë e këtillë ose, së paku, një formulim kësisoj na nxit shoqërime idesh me sintagmat e zbër­dhylura nga koha dhe rrethanat, siç qenë dikur: letërsia dhe revolucioni, letërsia dhe vetëqeverisja, letërsia dhe censura, letërsia dhe dhuna, letërsia dhe liria krijuese, letërsia dhe reali­teti e të tjera. Pothuajse shumica e interpretimeve lidhur me raportet ndërmjet tyre janë mbështetur në skema të njohura e të provuara siç janë: tema dhe ideja, motivet dhe sistemi i moti­vacionit, shkaku dhe pasoja e të ngjashme, por që, në fund të fundit, rrallë ose aspak nuk e kanë përligjur esencën e gjërave. Në këtë rast është fjala për mëvetësinë dhe autonomitetin e letërsisë.

Përse mendoj kështu?

Duke e ndjekur letërsinë tone të këtyre dhjetë viteve të fundit (1980-1990) krahas rrethanave, njerëzve e ngjarjeve, hetohet një përafrim aq i madh midis letërsisë dhe jetës saqë nganjëherë të duket se letërsia nuk është më ajo gurra e ideve dhe e sistemit të ideve që do t’i sendërtojë jeta, por ndodh e kundërta: jeta jep mostrat, kuptohet me një haraç të lartë, të cilat më pastaj shtro­hen në letërsi. Sikur ka ndodhur një shpërndërrim në sistemin ungjillor të Shën Gjonit: Në fillim Vepra, pastaj Fjala. Kjo mund të provohet edhe me një shembull në aspektin e stilit. Në qoftë se deri dje (kam parasysh periudhën prej pasluftës e deri në dhjetëvjetëshin e fundit) dominonin hyjnizimi, himnizimi, përshkrimi, shprehja ezopike, simboli e mbretëresha metaforë, tashti vendin e tyre në poezinë shqipe të këtij krahu e zë stili bisedimor, ironia dhe të tjera. Nuk pretendoj të them se është zhveshur arti letrar, por konfirmoj mendimin se jeta jonë është shndërruar në një substrat tepër artistik. Nëse deri dje mësimi shkollor estetik, sipas A. Uçit, na fliste për të bukurën në art si për një bukuri më të kondensuar, më të koncentruar se në jetë, sot ndodh e kundërta. Tragjikja, absurdi, dhuna, grotesku e të tjera, janë më të shtresëzuara dhe më shumëdimensionale në jetë sesa në letërsi, madje kjo mund të provohet edhe në vetë poezinë e A. Podrimes “Jetë hiç artistike”.

Mendoj se as shkrimtari me imagjinatën më të begatë nuk do të kujtohej të ndëshkonte me ligj personazhin (një vogëlushe 2-vjeçare) për dy gishtërinj të ngritur kinse në formë V-je, siç bëri policia këtyre ditëve duke dënuar prindin e tij me burg. Kurse më 1982, një shoku ynë, shkrimtar, u pushua nga puna në tele­vizion vetëm sepse pati guxim që sheshirit t’i thotë shqip repu­blikë. Këto e të ngjashme ndodhën  në jetën tonë, po a ndodhën në letërsinë tonë? Jo dhe jo. Sepse  sheshiri qëndronte dhe vazh­don të qëndrojë si cerberi mbi republikën poetike.

Në ecje të ngutshme e të rrezikshme, siç është rasti me zhvilli­min e letërsisë sonë, natyrisht që mbeten boshllëqe, zona të errëta, të pandriçuara e shumëçka tjetër.  Në vitet shtatëdhjetë, nën emocionet e kujtesës historike, sikur çliroheshim sërishmi nga pushtimi osman. Deklarata e zhveshur, euforia dhe pate­tika e vrisnin atëbotë një pjesë të lirikës sonë. Shpatat tona vri­tnin e pritnin trupa armiqsh si të ishin kakuda. Mbase ky qe ai iluzioni frapant siç e pat formuluar njëherë Gëte: “Askush nuk është i robëruar më përjetësisht se ai që në robëri mendon se është i lirë”.

Edhe në vitet tetëdhjetë na shoqëroi një dobësi e vënë re. Miti i Konstandinit, si më tipik, vërshoi një pjesë të madhe të poe­zisë sonë. Konstandini i ngratë u shndërrua në bandill të tipit të Don Zhuanit që shëtit natën, ditën, maleve, fushave, kurse poetët harronin se konstandinët tanë, shokët e bijtë e tyre der­gjeshin burgjeve dhe, madje, vriteshin për republikën poetike, demokracinë – për vetë Besën e Konstandinit.

T’u kthehem edhe një herë ditëve tona. Qosja në një ese për modernen thotë se një krijim letrar nuk e bën modern as vetëm gjuha, as vetëm stili, as vetëm forma e përmbajtja por, para së gjithash, ndjeshmëria moderne. Po të lexohen me kujdes sido­mos poezitë në vitet e fundit, zor se do të mund të hasim ndonjë varg pa fjalën gjak, natë, terr, tym, pa fjalën zjarr, gof e të tjera të këtilla. Një vokabular kësisoj sikur konstituon një sistem të ndjeshmërisë moderne në poezi, sikur sugjeron një pritje, një lindje, një ag poetik. Midis këtyre të prerave të paralindjes pa dyshim vegjetojnë shenjat e para të lindjes së demokracisë.

Ngadhënjimin e demokracisë e kuptoi edhe si ngadhënjim të letërsisë vetëm atëherë kur letërsia nuk do të ketë nevojë me asgjë ta zërë ngoje demokracinë, jo nën diktatin e sheshirit, por nën ritmin normal të mëvetësisë së artit, nën kurorën e repu­blikës poetike. Uroj që mamitë e kësaj lindjeje të re të mos jenë pseudodemokratët pseudopoetë!

___________

“Fjala”, 1990

Marrë nga libri me ese Nostalgji e letrës. Radhitur nga “Armagedoni”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adem Gashi - Gu, guu, guuu! – ia bëri Pëllumbi…