Zonat ekonomike në Kosovë, për ‘dëshirë’ të kryetarëve të komunave
Krijimi i zonave ekonomike në pothuajse çdo komunë të Kosovës po konsiderohet nga përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të fushës gati të panevojshme për një treg si Kosova. Ata thonë se nëse shikohet në aspektin territorial, Kosova do të mund të funksiononte edhe vetëm si një zonë e lirë ekonomike.
Zonë e lirë ekonomike është një territor që ka një status të veçantë ekonomik.
Ligji për zonat ekonomike në Kosovë parasheh katër lloje të zonave të lira ekonomike: zonat ekonomike apo parqet industriale, parqet teknologjike si dhe qendrat inovative.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumica nga këto zona ekonomike janë themeluar pa ndonjë analizë ekonomike në raport me tregun ndërkombëtar, në raport me investimet e jashtme dhe në raport me liberalizimin tregtar në përgjithësi.
“Në Kosovë ndodhin disa fenomene të çuditshme, si fillim ndodhin kopjime të bizneseve të suksesshme, ndodhin investimet e ngjashme, siç është fjala kemi pasur një eufori në hapjen e universiteteve private, eufori në hapjen e restoranteve e baseneve dhe tani situata ka arritur që në Kosovë të hapen sa më shumë zona të lira ekonomike dhe kjo ka përfshirë një numër të madh të qyteteve dhe ka ambicie të formohen edhe zona tjera ekonomike”, thotë Sadiku.
Zonat ekonomike të cilat veprojnë në Kosovë janë: parku i biznesit në Drenas pastaj në Mitrovicë, parku teknologjik në Skenderaj, zona industriale në Suharekë, parku industriale holandez në Prizren, parku i biznesit në Vushtrri, parku teknologjik në Shtime, zona ekonomike në Gjilan si dhe zona ekonomike në Ferizaj.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë për Radion Evropa e Lirë se në rastin e Kosovës, vendimet për zonat e lira ekonomike më shumë janë politike.
“Kushtet që po shkojmë tash ku secili kryetar komune ose secili ministër po dëshiron të ketë një zonë ekonomike unë mendoj që jo vetëm që nuk do të jenë funksionale, por do ta degradojnë tërë konceptin e zonës ekonomike”
“Ne nuk kemi as një zonë ekonomike në kuptimin e plotë të fjalës që nënkupton që nuk është vetëm infrastruktura që ofron shtetin të bëjë një zonë ekonomike, por duhet të jetë edhe pjesa që lidhet me lehtësirat që krijohen aty siç janë lehtësirat fiskale që e ndihmojnë infrastrukturën e biznesit të përformojë”, thotë Rukiqi.
Krijimi i zonave të lira ekonomike sipas profesor Muhamet Sadiku duhet të vihet në kontekst të madhësisë së Kosovës si shtet dhe si ekonomi e tregut. Ai thotë se të gjitha qytetet në Kosovë nuk mund të bëhen zona të lira ekonomike.
“Më mirë është të shpallet Kosova e tëra zonë e lirë ekonomike sesa 30 qytete në Kosovë të shpallin vetën zona të lira ekonomike me qasje të ndryshme ndaj investitorëve të jashtëm. Prandaj, do të ishte mirë që Qeveria e Kosovës të ndalet të bënë një analizë serioze në lidhje me efektin mundshëm të këtyre zonave të ekonomisë së lirë”, thotë Sadiku.
Krijimi i zonave të lira ekonomike në Kosovë nga përfaqësues të institucioneve të vendit në vazhdimësi ishte theksuar si një përparësi për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.
Por, pavarësisht krijimit të këtyre zonave të lira ekonomike, ekspertët e fushës thonë se Kosova vazhdon të mbetet një nga ekonomitë më të pazhvilluara në rajon me një rritje ekonomike jo më shumë se 4 për qind dhe më shkallë të lartë të papunësisë mbi 30 për qind.