Zonja e letrës
NEVIANA SHEHI
Kur mamaja jonë,
gruaja me lëkurën më të bardhë dhe
më të tejdukshme se ëndrrat,
na lexonte “Lulet e Mollës”,
përfytyrimet e mia mbusheshin me mollë
kokërrmëdha dhe të kuqe.
Ime ëmë shndërrohej befas
si nëna e librit dhe e letrës
dhe amplituda e zërit të saj bëhej njësh
me rrahjet dhe habitë tona të pafundme
të zemrës.
Katër fëmijë të veshur me bluza të zbardhura,
por edhe me fëshfërima të blerta pemësh dhe kopshte ëndrrash,
që ndiqnim dhe përjetonim dy njerëz që puthen,
ç’pikturë surreale!
Nëna, zonja e librit dhe letrës herë-herë
hiqte syzet e djersitura dhe kundronte frymët tona të pezullta…
Nuk di, pse ato çaste fytyra e rrëfimit dhe e nënës
kishin hyrë te njëra-tjetra, duke u bërë një.
Po më pas nënë?
– pyeste im vëlla me fjalë ankthi,
duke ëndërruar një tjetër fund për heroinën e librit.
Motrat heshtnin, duke ndier
se mbas këtij rrëfimi do të ishin rritur edhe një pëllëmbë
më shumë, se përfytyrimi,
ndërsa unë?
Unë, nisja të shkruaja pa zë librin e ardhshëm të jetës sime sentimentale;
subjekti duhet t’i ngjante sigurisht atij të luleve të mollës,
heroina duhet të isha unë,
ndërsa heronj djemtë më të bukur të klasës sime.
Im vëlla shumë shumë mund të ish narratori…
Audicioni gjithmonë do të ish i ulur ndanë krevatit
dhe ulërima e fqinjit në katin përballë
që i bërtiste të shoqes pa shkak,
gjithmonë do të ish një detaj i pashmangshëm gjatë gjithë leximit,
por kryesorja e kryesoreve ishte që të mos harroj…
Zonja e letrës dhe nëna e leximit të këtij libri
do të ishte gjithmonë nëna ime.
Gjërat e tjera do të ishin në kufijtë e reales
dhe të pamundurës.