Zoran Tegeltija zgjedhet kryeministër i Bosnje dhe Hercegovinës
Parlamenti i Bosnje dhe Hercegovinës të enjten ka zgjedhur kryeministrin e ri të vendit.
Zoran Tegeltija do të jetë kryetar i Këshillit të Ministrave në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Në fjalimin e tij para Parlamentit, Tegletija ka thënë se rruga evropiane e vendit është çështja kryesore me të cilën do të merret gjatë ushtrimit të mandatit.
Ndër prioritetet tjera, ai ka përmendur krizën e emigrantëve, zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve.
“Për më shumë se një vit, Bosnje dhe Hercegovina nuk ka arritur të formojë qeverinë. Është detyrim i ynë të kompensojmë kohën e humbur në periudhën e ardhshme”, ka thënë Tegeltija.
Kryeministri i ri i Bosnjës, i takon Unionit Social Demokrat të udhëhequr nga anëtari serb i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik.
Tegeltija, gjithashtu ka thënë se Këshilli i Ministrave duhet të zbatojë reformat sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të vazhdojë procesi i integrimit evropian.
Bosnje dhe Hercegovina ka qenë pa qeveri në nivel federal, për më shumë se një vit, sepse liderët e partive nuk arritën një marrëveshje pas zgjedhjeve.
Mospajtimet kryesore kishin të bëjnë me miratimin e Planit Vjetor Kombëtar, dokument që përafron vendin me Aleancën Veriatlantike (NATO).
Anëtari serb i presidencës, Millorad Dodik ka kundërshtuar miratimin e planit.