Zotëri Dick Marty, kur do të turpëroheni e kërkoni falje për ato që keni shkruar? (35)
Shkruan: Kudusi LAMA
Aktualisht i vetmi klan që është bërë i pranishëm në trojet shqiptare është klani Dick Marty. Por as ai klan i rrezikshëm, megjithëse i dëmtoi mjaft shqiptarët, nuk i tremb as që ka për t’i trembur ndonjëherë.
Por ju doni me çdo kusht t’i siguroni informacionet që ju interesojnë sipas planit të akuzave e shpifjeve që keni programuar, për ta bërë raportin tuaj, prandaj edhe nuk përtoni të veproni duke regjistruar biseda nëpër tubime të ndryshme, nëpër dhoma ndenjeje e takime gjoja të rastit të personave të tretë, me njerëz që mund të jenë të prirë për të thënë gjëra nga më të ndryshmet, për të treguar se dinë diçka, prej të cilëve edhe mund të gjenden në vende të ndryshme. E njerëzit tuaj të tretë nuk di me çfarë shpërblimesh jua kanë sjellë incizimet që ju i quani me interes. Mua kjo ma kujton kohën e Titos e të Millosheviqit, sepse edhe ata për t’i dënuar ata që kishin dëshirë t’i dënonin, futnin pikërisht njerëz të tillë nëpër ndeje të ndryshme dhe sipas këtyre të dhënave portretizonin njerëzit e rrezikshëm që donin t’i çlironin trojet shqiptare të pushtuara dhe i dënonin. Mos mendoni se keni shpikur ndonjë metodë të re, kjo metodë është shumë e njohur për shqiptarët. Dhe ta dini se me metoda të tilla pushtuesi jugosllav e serb, ka pushkatuar, varur, masakruar e zhdukur me dhjetëra mijëra shqiptarë. A vërtet me këtë metodë mendon se do t’i dënosh shqiptarët?
Ju zotëri bëheni qesharak kur merrni përgjegjësi të jeni i gjithanshëm e, mbi të gjitha, edhe korrespodent i luftës dhe ekspert ushtarak, duke dhënë definicionin në pikën 29, kur shpreheni: “… grupimet armiqësore rrallë janë ndeshur në luftime të armatosura përgjatë ndonjë vije frontale të çfarëdoshme”. Nga i nxirrni këto zotëri? A nuk e dini se në Kosovë, Serbia ka pasur vetëm forca tokësore 72 mijë ushtarë dhe policë, me të gjitha kapacitetet e armëve tokësore, shto këtu edhe helikopterët e shumtë dhe gjithë aviacionin gjuajtës – bombardues e, krahas këtyre, ka sjellë dhe ua ka shpërndarë 63 mijë armë civilëve serbë nëpër Kosovë, që t’i përdornin sipas organizimeve? Pa folur edhe për mbi 13 mijë paramilitarë e kriminelë të nxjerrë nga burgjet vetëm për të luftuar në Kosovë e ato qindra a ndoshta më shumë agjentë të UDB-së. Të gjitha këto forca pse ishin në Kosovë? Njëkohësisht po ju informoj se edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në fuqinë maksimale të saj ka pasur rreth 60 mijë trupa luftëtarësh. Sipas jush, këto mbi 200 mijë njerëz të armatosur nuk janë marrë me asgjë. Jo zotëri gaboni. Për 20 muaj të luftës publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjithnjë janë zhvilluar luftime midis forcave të pushtuesit dhe çlirimtarëve, dhe gjithnjë janë zhvilluar beteja frontale. Në atë kohë lufte duhet të njiheni me zonat e çliruara nga UÇK-ja e në disa raste edhe të ripushtuara nga armiku, si mund të bëhen ndeshje luftarake pa përballje frontale të forcave pjesëmarrëse në luftë? Keni mashtruar veten zotëri, ose ju intereson të vetëmashtroheni ç’ka mund të jetë më e mundshme, por ju nuk e njihni as historinë shqiptare, as kombin shqiptar, ju kryet një mashtrim që ia vlejti dhe kaq.
Në pikën 30 të raportit kaloni lehtë me deklarimin: “Dhunimet e urryera të bëra nga ushtarët dhe forcat e policisë serbe, që përpiqeshin të nënshtronin, dhe më pas të dëbonin popullsinë shqiptare të Kosovës, janë të njohura publikisht dhe të përcaktuara më se qartë”. Sa lehtë të shprehësh një gjenocid të pashembullt në historinë njerëzore, vetëm me dy radhë në një raport ndërkombëtar, duke e quajtur çështjen të përfunduar. Jo mor zotëri, ju nuk mund t’i imagjinoni krimet e dhunimet e bëra nga serbët në Kosovë dhe duhet të dini se do të duhet të kalojë aq kohë sa të largohen nga kjo botë edhe ata që kanë lindur prej dhunimeve, që të mund të flitet me gjuhën që flitni ju. Por ju, siç duket, ju është fikur çelësi i ndjenjave njerëzore dhe qytetarinë e kulturën kombëtare dhe shoqërore i konsideroni thjesht një element zbukurimi.
Duke lexuar raportin tuaj, mua që e njoh mirë situatën e kohës së luftës dhe i njoh mirë shumë prej luftëtarëve e komandantëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës, më mbushet gjoksi me mllef për shëmtinë me të cilën shpreheni, por unë do të përpiqem të qëndroj sa të mundem i qetë në vlerësimet e mia për këtë raport, pasi e kam kuptuar plotësisht se ju jeni vetëm ai që e keni firmosur dhe nuk keni vënë asnjë germë në të me lapsin tuaj. Ky vërtet është me informacione që unë i njoh që prej Millosheviqit. Por kurrë nuk më kishte shkuar mendja se mund të gjendej dikush në Evropë që të servirte informacione të tilla e aq më shumë për organizata të tilla madhore botërore, siç është Këshilli i Evropës.
Në pikën 31 ju keni zbuluar prova që janë në kontradiktë me “…me pamjen joshëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paraqitur si një ushtri guerrilasish që kanë luftuar trimërisht për të mbrojtur të drejtën e bashkëpatriotëve të tyre për të jetuar në territorin e Kosovës”. Nuk di si keni kaq guxim sa të njollosni një ushtri çlirimtare të një populli, lavdinë e një kombi, këtë përveç serbëve deri tani nuk e ka bërë askush veç jush. Si mund të tentoni të quani jo të vërtetë një ushtri të tërë? Vërtet duhet të jeni paguar rëndë për këtë që keni shkruar, nëse e keni shkruar. Ndërsa në pikën 32 shpreheni: “Nëse është e pamohueshme se shumë ushtarë të guximshëm, të gatshëm për të shkuar në luftë e për t’i bërë ballë kundërshtarit, për të vdekur, në rast nevoje, për kauzën e një atdheu kosovar shqiptar të pavarur, ishin të pranishëm në radhët e UÇK-së, përsëri këta nuk përbënin detyrimisht shumicën”. Pra, sipas jush, shumica çfarë ishin? Apo siç shpreheni edhe më parë “ekzekutues të thjeshtë të klanit”. Zotëri ata djem e vasha me armë që përbënin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, doni apo nuk doni ju, ishin 100 për qind atdhetar të gatshëm për të dhënë jetën për çlirimin e atdheut e kombit të tyre shqiptar. Ata për asnjë moment nuk kanë menduar se cilat do të ishin përfitimet e tyre të të nesërmes, se nuk kishin kohë për t’u marrë me këto llogari. Ata ishin të gjithë luftëtarë të guximshëm dhe pa asnjëlloj mëdyshje për t’u përballur me armikun e dhënë jetën. Asnjë luftëtar dhe drejtues i kësaj ushtrie çlirimtare përveç shporrjes me çdo kusht të pushtuesit nuk ka pasur asnjë lloj ambicie për pas luftës, pasi unë i njoh mirë dhe i di synimet e tyre, pavarësisht si shpreheni ju në pikën 33 të raportit.
Por në këtë moment më kujtuat një episod të vitit 1998, kur unë në ushtrim të detyrës time si komandant i zonës së veriut të Shqipërisë, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, bëja takime me strukturat e qeverisjes lokale dhe kryefamiljarët në rajone të ndryshme të zonës, sipas një plani të caktuar. Por një ditë pas një takimi në një komunë një fshatar vërejta se kërkonte të më takonte, por ata që më shoqëronin po e pengonin. Për këtë e pyeta kryetarin e komunës, se çfarë kishte fshatari, kur ai më tha se donte të më takonte mua, kërkova të mos e pengojnë. Kur fshatari erdhi tek unë dhe u përshëndetëm, e pyeta çfarë halli kishte. Ai më tha: – Me sa kuptova unë ju do të bëni luftë, se Serbia mund të ketë dëshirë të zgjerojë luftën për të futur në hije Kosovën. E po u bë luftë, unë e di se ju do të ma shkatërroni shtëpinë, se e kam në afërsi të kufirit. Prandaj unë kërkoj nga ju që të më jepni një shkresë me firmën tuaj, që po të më prishet shtëpia, të ma paguani pas luftës. Unë pasi e dëgjova, jo pa habi, iu përgjigja: – Unë po lumturohem që ju e ditkeni se pas luftës do të jeni gjallë. Sepse unë e di saktë se pas luftës nuk do të jem gjallë, pasi me siguri do të vritem në luftë. Prandaj meqë unë nuk do të jem pas luftës, ju mund ta merrni vërtetimin tek ai që do të ketë fatin të jetë në vendin tim, kur të bëhet paqe.
Fshatari zotëri Marty u turpërua për kërkesën e tij, kërkoj shumë falje dhe u largua. Dhe të them sinqerisht, unë e kisha shumë seriozisht, dhe kisha bindje të plotë, në ato fjalë që i thash fshatarit. Kaq kanë menduar edhe të gjithë luftëtarët dhe drejtuesit e UÇK-së. Prandaj unë bëj pyetjen për ju zotëri Marty, ju kur do të turpëroheni e kërkoni falje për këto që keni shkruar, e të ngjiteni të paktën deri në nivelin e atij fshatarit që iu tregova? Por prapë nuk besoj se ju jeni i prirë për t’u turpëruar, pasi nuk ngjiteni dot në nivelin e fshatarit shqiptar. Sepse ju edhe informacionin që jepte UÇK-ja gjatë luftës, në pikën 34 e quani mashtrim. Ju arrini deri atje, sa në pikën 35, tregoni pa far mëdyshje se ata komandant e drejtues të UÇK-së, që nuk kishin automjete, por edhe furnizimin e fronteve me armatim e municione e bënin me shpinë ose me kafshë, paskan menduar të përfitojnë nga sektori i naftës, ndërtimet, qiradhënia, etj, që seriozisht, duke lexuar raportin tuaj po më dhemb krejt trupi, pasi po më duket i turpshëm për vete edhe akti i leximit, pasi po më duket se po bëhem bashkëpunëtor më ju në këtë ndërmarrje të paskrupullt. O njeri, po a mund të shkruhet kështu: “Një numër i madh prej tyre do jenë përpjekur të përfitonin sa më shumë nga pushteti që kishin gjatë kohës kur disa zona jashtë ligji ishin vendosur nën autoritetin e tyre veprues (si në disa pjesë të Kosovës jugore dhe perëndimore) dhe të përdornin ndikimin e tyre, sidomos për sa i përket burimeve financiare, për t’u vendosur në vende të tjera (për shembull në Shqipëri)”. Po ku kishte financa në Kosovë në atë kohë lufte? Ku mund të merreshin paratë në Kosovë? A nuk e dini se UÇK-ja ka pasur një strukturë të veçantë që është quajtur fondi “Vendlindja Thërret”, strukturë e cila ka vepruar në të gjitha kontinentet, duke grumbulluar fonde nga diaspora për të financuar luftën? Po pse more nuk ulesh me këmbë në tokë o njeri e të kuptosh se çdo të thotë luftë e organizuar nën pushtim? Po ata djem që kalonin me shërbim në Shqipëri, po t’i ndaloje dhunshëm një ditë më shumë se nevoja e shërbimit, qanin si fëmijë pse po pengoheshin të shkonin tek bashkëluftëtarët e tjerë në vijat e fronteve, ku kishin kohë ata të siguronin fonde për t’u vendosur në Shqipëri? Jo zotëri, ata nuk kishin pse vendoseshin në Shqipëri, ata do të luftonin dhe për ta do të kishte ose çlirim të atdheut, ose rënie në frontin e luftës për liri. Nuk kishte asnjë alternativë tjetër dhe këto dy alternativa ia kishin caktuar vetvetes, askush nuk kishte marrë vendim për ta. (Vijon)