Zotëri Marty, keni urrejtje të pakufishme për luftën çlirimtare dhe UÇK-në (40)
Shkruan: Kudusi LAMA
Duke lexuar pikat 105, 106, 107, kuptoj se ju flisni me hamendje, ose keni manipuluar me biseda të ndryshme të improvizuara ose të komunikuara me individë që mund të mos kenë asnjë lidhje me strukturat e UÇK-së, të cilët mund të flasin me çfarë mund të kenë dëgjuar se ku kanë qenë qendrat e grumbullimit e të stërvitjes të furnizimit të UÇK-së, ku pastaj ju, duke manipuluar, keni shtuar shprehje konkludimi imagjinar, si: “Vendet e burgimit ku do kenë ndodhur këto “marrje në pyetje” – konkretisht ato më pranë kufirit me Kosovën – ishin njëkohësisht “baza” apo “kampe” ushtarake – vende stërvitjeje nga ku dërgoheshin në front luftëtarë apo furnizoheshin me armë e municione”. Pra, ju, duke kuptuar se diku ka pasur një bazë grumbullimi, stërvitjeje e furnizimi luftëtarësh të UÇK-së, arrini të arsyetoni se meqë ishin kampe ushtarake, duhet të ketë pasur edhe burgje. Ky deklarim, sipas asaj çfarë kuptoj unë nga të drejtat e ushtrimit të detyrës, është shpërdorim detyre. Nëse do të ishit vartësi im, do t’ju kisha shkarkuar nga detyra për këtë mënyrë të shprehuri dhe për këtë mënyrë trajtimi të çështjeve të tilla që konsiderohen shumë të rëndësishme, por që ju i trajtoni duke i shikuar nga këndvështrimi paragjykues, dukuri që nuk i lejohet një diplomati e politikani të bashkësisë ndërkombëtare, siç jeni ju, që flisni në emër të Evropës. Ose “në shumicën e rasteve, robërit do jenë mbajtur mënjanë operacioneve që mund të klasifikohen si klasike në kohë lufte, dhe nga ana tjetër shumë larg syve të shumicës së luftëtarëve të UÇK-së e të vëzhguesve të jashtëm që mund të kenë vizituar këto baza”. Kur ju që pretendoni se i njihni këto baza, duhet të thoni se si mund të bëhen veprime kriminale në ato hapësira, e të mos shikohen apo dëgjohen nga luftëtarët. Duket sikur për ju luftëtarët janë kukulla e jo njerëz me logjikë e me arsye që nuk janë pa dëgjim e pa shikim si gjithë njerëzit e tjerë. Zotëri, në hapësirat e bazave të UÇK-së nuk ka asnjë mundësi të bëhen veprime të fshehta, por aty ka pasur komandantë që i kanë kontrolluar dhe disiplinuar ato baza sipas rregullave të shkruara që ka pasur UÇK-ja si në çdo ushtri tjetër. E për çudi, ju konstatoni se nëpër këto baza janë bërë veprime kriminale nga njerëz që nuk kanë qenë në përbërje të bazave dhe që komandantët e bazave nuk kanë ditur se ç’po ndodh. Sipas arsyes logjike të një njeriu të rritur e të shëndoshë mendërisht a mund të ndodhë një gjë e tillë? Këdo që të pyesësh do të japë përgjigjen e thjesht, jo. Por ja që është dikush, i cili siç njeh fushën e krimeve, njeh edhe rregullat e disiplinës ushtarake e të menaxhimit të kazermave, njeh edhe rregullat e luftës, e ky njeri qenkeni ju zotëri Marty. Është shumë interesante por ja që është e vërtetë, që ju mund të merrni përgjegjësi dhe të bëni ekspertin paragjykues për gjithë veprimtarinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në pikën 108 ju flisni për transportimin dhe mbajtjen në burgje në Shqipëri të robërve të luftës, që duket si një diçka e veçantë, por do të kisha dëshirë të flasësh me emrat dhe të marrin përgjigje pyetjet: Sa robër lufte paska transportuar UÇK-ja në Shqipëri? Cilët janë ata? Si i kanë emrat? Ku janë zënë robër, në cilin front? Çfarë njësie ushtarake i takojnë? Meqenëse janë kthyer në shtëpi siç pretendoni ju, prej nga janë dhe ku janë aktualisht? Zotëri Marty, për robërit e luftës flitet duke u dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme, nuk mund të flitet për robër lufte sikur ata janë pako mallrash të përdorura. Ashtu siç shpreheni edhe për të arratisur nga këto burgje, po pse nuk i prezantoni mor zotëri që t’u nxirrni bojën atyre që i kanë mbajtur të burgosur? Po të ishte e vërtetë një gjë e tillë do të kishit një element të fortë në dorën tuaj për të justifikuar këtë deklarim tuajin. Por ju thjesht vetëm keni dëshirë të ilustroni akuzën dhe nuk keni mundësi të shkoni më tej.
Ashtu sikurse në vazhdim në pikën 109, thoni se “jemi vënë në dijeni të ekzistencës se personave të mbijetuar…”, për të cilët gjithashtu thoni se paskan dëshmuar për krimet në Cahan, Kukës e Durrës, gjë që tregon edhe njëherë formalitetin e raportit tuaj, pasi ju thjeshtë jeni vënë në dijeni, por nuk dini të vërtetën, ç’ka më jep të drejtën mua të mendoj se ju thjeshtë jeni marrë me thashetheme dhe edhe raporti juaj nuk është tjetër veçse një sistemim thashethemesh dhe shpifjesh sipas një skenari serb, duke renditur të gjitha informacionet mashtruese që janë publikuar me kohë në deklarimin e librave që janë shkruar nga serbët sipas një programi shtetëror për atë periudhë. Por ajo që më bën të kthej gjithnjë vështrimin nga ju, është fakti që në raportin tuaj po të thuhet se diku ka qenë një bazë e UÇK-së, ju menjëherë i vini etiketën “bazë kriminale”, këtë me sa duket e bëni sepse për shqiptarët dhe të drejtat e tyre dhe për Luftën Çlirimtare të Kosovës e UÇK-në keni urrejtje të pakufishme. Të punosh për dikë se të paguan, siç keni punuar ju për Serbinë është e arsyeshme, por të kesh urrejtje patologjike ndaj atyre që akuzon e për të cilët shpif, do të thotë se këtu ka edhe diçka shpirtërore. Jam kurioz të di pse e keni këtë urrejtje patologjike për shqiptarët? Nuk besoj se keni pasur ndonjë marrëdhënie konfliktuale me shqiptarët personalisht. Pse pra? Se në raport duket, sikur ju e keni personalizuar problemin, duke e kthyer në një marrëdhënie personale mes jush dhe shqiptarëve.
Ju nuk ndaleni në akuza zotëri Marty dhe nuk ndaleni edhe kur tentoni të futni konflikt brenda kombit shqiptar. Por ju gaboni zotëri, se shqiptarët në gjithë historinë e tyre nuk kanë asnjë moment lufte civile, me gjithë përpjekjet që kanë bërë armiqtë për ta krijuar mundësinë që të konfliktohen midis tyre, siç po bëni edhe ju me raportin tuaj. Kështu mund të thuhet edhe për FARK-un, për të cilin ju flisni në pikën 111, por nuk dini se ministri i mbrojtjes i qeverisë së Kosovës në ekzil nën kryeministrin Bujar Bukoshi, i cili ka deklaruar në intervistë televizive, se FARK-u ishte ngritur si strukturë nga qeveria që me krijimin e saj, i cili megjithëse nuk e mori dot kontrollin asnjëherë për t’u bërë funksional dhe veprues, forcë kryesore do të kishte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa ju e nxirrni FARK-un si forcë opozitare e UÇK-së. Ju arrini deri atje sa të përcaktoni se: “Grupi ushtarak i pagëzuar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, apo FARK, luftonte zyrtarisht për çlirimin e Kosovës ashtu sikurse UÇK-ja, por komandantët e kësaj të fundit e trajtonin me përbuzje e dyshim, si një kundërshtar. FARK-ët, politikisht të përafërt me LDK-në, konsideroheshin si krahu i armatosur i qeverisë në mërgim të Bujar Bukoshit. Në të kundërt të UÇK-së, FARK-ët u formuan nisur nga një bërthamë oficerësh me përvojë të dalë nga etnia shqiptare dhe që kishin shërbyer në Ushtrinë federale jugosllave. Komandantët e UÇK-së i shihnin me shumë dyshim FARK-ët dhe përpiqeshin t’i pengonin në rekrutimin e luftëtarëve të rinj dhe në furnizimin me armë e municion. UÇK-ja ka mbajtur të burgosur shumë persona, sidomos civilë me origjinë nga Kosova, në Veri të Shqipërisë, pranë kufirit me Kosovën, persona që ajo i akuzonte se mbështesnin FARK-ët dhe se nuk tregoheshin të ndershëm ndaj kauzës së UÇK-së”. Pse e bëni këtë akuzë zotëri Marty, kush u ka thënë se ka pasur një konflikt midis UÇK-së dhe FARK-ut, që paska arritur deri në veprime që i përmendni ju. A mundeni ju t’i rreshtoni këto dy ushtri e t’i merrni në evidencë të na i tregoni ndarjet edhe ne shqiptarëve se nuk i dimë? Hajde zotëri Marty na e tregoni historinë tonë se ju jeni vërtetë i gjithanshëm dhe i gjithëdijshëm. Por shqiptarët kanë një fjalë të artë që thotë: Qesh ai që qesh i fundit.
Në pikën 113, ju kaloni në akuza të drejtpërdrejta për individë duke u shprehur: “Sabit Geci, Riza Alija (alias “komandant Hoxhaj”) dhe Xhimshit Krasniqi figurojnë ndër komandantët e UÇK-së të akuzuar se kanë qenë në krye të këtyre qendrave të burgimit. Këta tre persona zënë një vend të rangut të parë edhe në hetimet e mëparshme çelur nga UNMIK-u lidhur me krimet e luftës të kryera në Veri të Shqipërisë; tashmë po i nënshtrohen një hetimi nga ana e Hetuesisë së posaçme të Kosovës dhe së shpejti duhet të gjykohen nga gjykata e shkallës së parë të Kosovës; pasuritë e tyre të patundshme janë bllokuar plotësisht”. Nuk pretendoj të shfajësoj askënd, në qoftë se ka bërë faje, por fakti që përmendet Sabit Geci dhe Xhimshit Krasniqi së bashku, më duket se është problem i pa gjetur. Që këta të dy luftëtarët e përmendur kanë qenë luftëtarë të spikatur në luftën kundër pushtuesit këtë e konfirmoj me zë të lartë. Por që këta në atë periudhë lufte të kenë gjetur kohë të merren me burgime e tortura këtë nuk mund ta kuptoj dhe nuk do ta kuptoj kurrë, sepse ata di që i donin njerëzit dhe për mbrojtjen e jetës së tyre kishin vite që luftonin në male kundër kolonizatorit.
Së dyti, Sabit Geci ishte i plagosur rëndë dhe lëvizte me shumë vështirësi me ndihmën e patericave. Mendoj se nuk kishte asnjë mundësi të merrej me torturime, pasi atë e ndihmonin shokët edhe në rrugë për të lëvizur. Nuk dua të besoj se këtë gjendje shëndetësore Sabiti e kishte false për të fshehur atë që ia keni zbuluar ju zotëri Marty.
Së treti, Sabit Geci me gjithë plagët e rënda që kishte, diku nga prilli i vitit 1999, u aksidentua rëndë me makinë në malin e Dajtit mbi Tiranë, duke thyer disa brinjë dhe deri në gusht 1999 ka qenë në spitalin e Saukut, në Tiranë, në gjendje të rëndë, që nuk ka mundur as të lëvizë nga vendi pa ndihmë. Se si paska arritur ky njeri të merret me veprime kriminale në gjithë ato qendra që përmendni ju këtë nuk e kuptoj. Njëkohësisht vlerësoj se Xhimshit Krasniqin e njoh mirë dhe di që është luftëtarë i pazëvendësueshëm. Por që ai gjatë gjithë kohës të jetë marrë me këto çështjet e torturave, e arrestimeve, siç thoni ju, nuk mund ta besoj, pasi ka pasur mjaft detyra të tjera për të kryer. Së dyti, në atë kohë detyrat kanë qenë të ndara dhe nuk mund të lëvizte luftëtari nga të kishte dëshirë. Luftëtari kishte një hapësirë të caktuar veprimtarie. Kështu që Xhimshit Krasniqi i ngarkuar me detyrë në Kukës, nuk mund të lëvizte prej andej sepse kishte dinamikën e punës të ngjeshur dhe nëse do të thyente disiplinën jepte llogari për mangësitë që i krijoheshin në furnizimin e luftëtarëve në front, pasi ky ishte misioni i tij. Ai ishte caktuar me detyra logjistike.
Së treti, edhe në Kukës Xhimshiti nuk ka pasur asnjë të drejtë në qendrën e Kukësit, pasi atje ishte dikush tjetër komandant dhe edhe po të donte të hynte nuk e linin të hynte, pasi nuk ishte pjesëtar i asaj kazerme dhe nuk kishte detyra të ishte atje. Ndërsa në bazat e tjera në Durrës a diku tjetër nuk kishte mundësi praktike të shkonte.
Nisur nga të gjitha këto që shpjegova më lart praktikisht e vlerësoj të pamundur që Xhimshiti të kishte kohë të merrej me veprime të tilla të burgimit e të torturimit apo të transportit të të burgosurve, për faktin se në atë kohë ishte vështirë të gjendeshin automjete për të dërguar materiale drejt frontit që kishte shumë nevoja, jo të gjendeshin makina për veprime të tilla. Megjithatë edhe për këta të dy luftëtarët e përmendur vlerësoj se ju zotëri Marty keni marrë të dhëna sipas literaturës dhe instruktimit serb, për të cilat kam bërë evidencimet e gjetura dhe ju besoj i keni parë edhe në këtë reagim, por edhe më herët, pasi i keni shfrytëzuar, ose ua kanë dhënë të gatshme, siç kam krijuar bindjen unë, bindje të cilën e kam shprehur më shumë se njëherë. (Vijon)