ZOTI E BEKOFTË “AMERIKËN”! 

03 maj 2019 | 14:48

AGRON SHALA

ZOTI E BEKOFTË “AMERIKËN”!

Për Koloseumin shqiptar dhe tjetërsimin kulturor; për kombin virtual shqiptar dhe mungesën e patriotizmit; për anën e ndritshme të Amerikës që shqiptari s’e do dhe për trinitetin shqiptar të mbijetesës në kaosin e vlerave:

zbavitje, trivialitet dhe harresë!

Dikur, në shkollat e Kosovës të kohës së monizmit, vlerësohej lart definicioni për kombin që e kishte dhënë Eduard Kardeli – njeriu i dytë më i rëndësishëm në Jugosllavinë komuniste, pas Josip Broz Titos. Sipas tij, kombi është “bashkësi specifike njerëzore që ka lindur në bazë të ndarjes së punës në epokën e kapitalizmit, në kuadër të territorit, njëkohësisht gjuhës dhe të një kulture të përbashkët”.

“Ky është një nga definicionet më të mira për kombet që ka dhënë dikush ndonjëherë”, thuhej dikur, nga ata që nuk i njihnin mirë definicionet e tjera, por që përsëritnin atë që “duhej” të thuhej, pasi ashtu e “kërkonte” puna dhe koha! Ishte propagandë. Apo, me termet e sotme: marketing për “prodhimin vendor”!

Në anën tjetër, për Shqipërinë komuniste vlente definicioni i Josif Stalinit për kombin, si “bashkësi stabile e njerëzve, e formuar në bazë të gjuhës së përbashkët, territorit, jetës ekonomike dhe veçorive psikologjike të manifestuara në kulturën e përbashkët”.

Bota “ekzotike” shqiptare

Njeriu lehtë mund ta ngatërrojë atë që ka thënë Kardeli me atë që thoshte Stalini. Në fakt, ka shumë definicione për kombin dhe që të gjitha ato ndërlidhen me gjuhën, territorin, historinë, etninë, veçoritë psikologjike dhe kulturën e përbashkët. Loja e fjalëve dhe autorësia kishin karakter politik, për ta mbrojtur interesin dhe ideologjinë e shtetit të caktuar. Për t’u veçuar nga të tjerët. Sepse, tekefundit, pjesëtari i një kombi nga shumica dikur njësohej me shtetin.

Por, kush është shqiptar sot? Cila është kultura e tij? Ku jeton ai? Dhe si veçohet ai?

Në faqen e saj në rrjetin social “Facebook”, fotografja suedeze Ann Christine Eek shpeshherë publikon foto relativisht të vjetra bardhezi, nga rajoni i Deçanit. Shumica nga to janë bërë në vitet 1975-’76, gjatë vizitës që ajo dhe etnografja Berit Backer ia kishin bërë fshatit Isniq. Synimi ishte të vëzhgoheshin zakonet e familjeve shqiptare. Një pjesë e këtij vëzhgimi (studimi) është publikuar në veprën “Prapa mureve të gurit”, që përqendrohet në evolucionin e familjes dhe të ekonomisë familjare të shqiptarëve të Kosovës, në një fazë të rëndësishme të transformimit të familjes tradicionale.

Në parathënien e këtij studimi, Robert Elsie ka cekur se si shqiptarët e Kosovës jetonin të izoluar dhe se si i rezistonin globalizimit në kohën e Jugosllavisë. Por, në mes të viteve ’70 të shekullit XX, në kohën e shtimit të “gastarbajterëve” në Gjermani e në Zvicër, shqiptarët që punonin jashtë nisën të dërgojnë te familjet e tyre jo vetëm para, por edhe ide të reja. Mu për këtë, botimi i Backerit, me ilustrime të Eekut, për Elsien paraqiste një “pamje të mrekullueshme të një botë ekzotike e cila së shpejti do t’i përkasë së kaluarës, siç parashikoi autorja”.

Backer dhe Eek takuan një botë “ekzotike” që nuk ekziston më, siç nuk ekziston ajo çfarë shihnin dikur në veriun e Shqipërisë studiuesit Edith Durham, çifti Rene Benezech dhe Jacqueline Benezech, Carleton Coon, Rose Wilder Lane, Reimer Schulz, Hugo Adolf Bernatzik…

Tradita dhe mënyra origjinale e të jetuarit, familjet e mëdha dhe mënyra e organizimit të tyre, i zoti i shtëpisë, odat, mikpritja, pleqnarët, burrat, sakrifica e grave, përgatitja për luftë, për hakmarrje, fjala e mençur dhe besa që mbahej te shqiptari që nuk njihte nocione për kombin, por që e dinte mirë se kush është e çka është gjaku… tash janë veç kujtim apo informatë për të shkuarën. Fatkeqësisht, për pakicën. Shumicën e ka pllakosur harresa. Ndaj, nga pjesët e përkufizimeve të mësipërme për kombin, vetëm gjuha – edhe ajo nëse trashëgohet nga prindërit – po e identifikon sot shqiptarin. Bashkësia, veçoritë psikologjike dhe kultura po bëhen çdoherë e më relative. Madje edhe territori! Gjithçka është virtuale! Gjithçka është versioni më i keq i Amerikës (Shteteve të Bashkuara të Amerikës)!

Pse kështu?

“Në Afrikë shkon babadimri, e para Parisit rri miki mausi”

Më 1990, rok grupi britanik Eurythmics realizon këngën “King and Queen of America” (Mbreti dhe Mbretëresha e Amerikës), që parodizonte me kulturën popullore amerikane. Siç ka thënë këngëtarja Annie Lenox, kjo është “këngë mllefi, që del nga irritimi për kultin e personalitetit. Në veçanti në Amerikë, aty ku njerëzit duan t’i ftojnë mediat në dhomat e tyre të ndejës dhe të flasin për jetët e tyre”. Ndaj, mbret dhe mbretëreshë sot mund të jetë secili që mund t’i tërheqë masat, në çfarëdo mënyre.

Ishte ky viti 1990, kur komunizmit, Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik (BRSS) po u vinte fundi, si dhe koncepteve kardeliane e staliniste për kombin. Kombi dalëngadalë nisi të perceptohej si “komunitet magjinar” (Benedict Anderson) apo si “komunitet abstrakt” (Paul James). Disa të tjerë i ktheheshin definicionit të mëparshëm që Vance Packard dha për amerikanët – asaj që ai e quante “kombi i të huajve”, meqë nga lëvizjet e shpeshta anëtarët e kombit po mbesin pa rrënjë, pa komunitet, anonimë, të izoluar e të huaj që kurrë nuk do ta takojnë njëri-tjetrin.

Shkatërrimi i komunizmit ishte më i dukshëm kur amerikanët arritën ta fusin “Pepsi”-n në BRSS. Në vitin 1990, me marrëveshjen prej tre miliardë dollarëve mes dy armiqve më të mëdhenj të Luftës së Ftohtë, “Pepsistrojka” u bë rivali më i madh i Perestrojkës – reformave politike të Partisë Komuniste të BRSS-së të udhëhequra nga Mikhail Gorbachevi. Nga ky vit, produktet amerikane nisën t’i modelojnë kohët moderne. Amerikanizimi u bë fenomen global që akulturoi edhe shoqëritë më të izoluara. Ndaj, grupi gjerman Rammstein ironizon me këtë fenomen përmes këngës “Amerika”: “Të gjithë jetojmë në Amerikë”. Sepse, e gjithë bota po bëhet njëkombëshe – amerikane!?

“Në Afrikë shkon babadimri, e para Parisit rri miki mausi”, është një pjesë tjetër e tekstit të grupit Rammstein, teksa në video, në duart e pjesëtarëve të fiseve tradicionale afrikane, shihen kutitë e picave të porositura me telefon; hamburgeri te murgjit budistë; atletet “Nike” në këmbët e besimtarit mysliman; stili i flokëve “Pompadour” – të afirmuara nga “Mbreti i mbretërve”, imazhi i amerikanit Elvis Presley në kokën e të riut kinez; cigaret “Lucky Strike” te hindui me turban… Dhe ata këndojnë: “Të gjithë jetojmë në Amerikë”! E, shqiptari thotë: “Duaje atdheun, si shqiptarët Amerikën”!

Por, cilin Atdhe dhe cilën Amerikë?

Vdekja fatale e armikut!

Në fund të janarit të vitit 1991 nis Lufta e Parë e Gjirit Persik, gjatë së cilës 35 shtete, të udhëhequra nga ShBA-ja, për pak ditë përzunë forcat e Irakut që një vit më parë kishin invaduar Kuvajtin. Kjo luftë mbahet mend për transmetimet e para të drejtpërdrejta që rrjeti televiziv CNN i bënte nga fushëbetejat. E njëjta ndodhi edhe me puçin e gushtit 1991 në BRSS, të organizuar nga krahu radikal i Partisë Komuniste që kundërshtonte reformat e Gorbachevit, si dhe me lajmin për shpërbërjen e BRSS-së në dhjetor – superfuqisë së dytë botërore. Bota po ndryshonte dhe lajmet për këtë mësoheshin në kohë reale!

Me shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, Amerika mbeti superfuqia e vetme. Por, çdo e mirë vjen me obligime dhe sfida të reja. Drejtimi i të gjitha forcave te një armik mund të kthehet si bumerang pas fitores. Për ta kuptuar këtë vlen të citohet një fjali nga filmi “Conspiracy” (Komploti, 2001), që flet për Konferencën naziste të Vanzisë, për “Zgjidhjen përfundimtare të çështjes së hebrenjve”. Aty një oficer gjerman thotë: “Një djalë urrente babanë e tij. E donte nënën. Nëna ishte e përkushtuar ndaj tij, por babai e rrihte, e përulte, s’e konsideronte të vetin. Sidoqoftë, ky djalë u rrit. Në të tridhjetat i vdes nëna, ajo nënë që e kishte ushqyer dhe mbrojtur. Ajo vdiq. Djali i rrinte afër teksa e ulnin arkivolin. Tentoi të qante, por lotët s’i dilnin. Babai i djalit jetoi gjatë. Kur vdiq, djali ishte në të pesëdhjetat. Në varrimin e babait, për habinë e tij, nuk mund t’i kontrollonte lotët. Vajtonte, dëneste nga të qarat. Dukej se ishte i pangushëllueshëm. I humbur madje. Djali tërë jetën e drejtoi në urrejtjen ndaj babait të tij. Kur nëna i vdiq, kjo ishte humbje. Kur babai i vdiq, kur urrejtja e kishte humbur objektin, atëherë jeta e tij ishte e zbrazët”.

Meqë nuk ishte punë e lehtë të paramendohej një armik i ri i përmasave sovjetike, me CNN-in gjithçka u bë lojë, madje edhe lufta. Rreziqe të mëdha nuk kishte, e populli nuk mund të frikësohej më me kataklizmin nuklear. Ai duhej zbavitur e të mos lodhej me “tema të mëdha”. Prandaj, në vitet ’90 të shekullit XX kulmojnë televizionet e reja të realitetit dhe emisionet e debatit tabloid që punonin pa skenarë dhe që prezantonin jetët dhe përditshmërinë e të rëndomtëve. Në këto televizione nxitej injoranca, sepse kryesorja ishte zbavitja e masave – shumicës. Por, siç thotë filozofi anglez Roger Scruton, dëshirat e shumicës mund të jenë djallëzore dhe fuqia e shumicës mund të jetë e rrezikshme.

“Profeti” i degjenerimit kulturor dhe koloseumi i turmave

Parashikimet për një realitet të tillë, ku lajm dhe vend qendror nuk do të zë vlera e dija, janë dhënë më herët, që më 1985 nga kulturologu i madh amerikan Neil Postman, në veprën “Duke zbavitur veten për vdekje”! Në kohën kur u publikua vepra, president në Amerikë ishte një aktor, Ronald Reagan. Por, Postman në një mënyrë parashikoi edhe ardhjen në pushtet të Donald Trumpit – njeriut të produktit televiziv, fenomenit që urrente. Sepse, nëse politika perceptohet si shoubiznes, atëherë “ideja nuk është ta synosh përsosmërinë, të qartën apo ndershmërinë”, por të shtiresh për to. Kryesorja është ta reklamosh veten! E, sipas Postmanit, “ajo që reklamuesi duhet të dijë nuk është çka është në rregull me produktin, por çka nuk është në rregull me blerësin”.

Televizioni pra u bë Koloseumi i ri. Ky model është aplikuar ndër shekuj, që nga Perandoria Romake e cila ndërtoi një amfiteatër gjigant – për t’i mbushur arkat e perandorit me paratë e masave, e për t’i larguar po këto masa nga “temat e mëdha” duke i zbavitur ato. Por, ajo që ofrohej brenda mureve të Koloseumit ishte degjenerim moral dhe kulturor. Sipas historianit Cameron Hawkins, brenda vitit aty mund të jenë vrarë mbi pesë mijë gladiatorë (pothuaj 14 çdo ditë). Dhe, ky krim zgjati gati 400 vjet, derisa nuk u kalb dhe nuk u shua nga brenda Perandoria Romake.

Shembull për këtë është edhe Jugosllavia komuniste. Në prag të tronditjeve të mëdha politike, aty triumfon mediokriteti. Kështu, më 1989, në garat e Jugosllavisë për Evrovizion, vendin e parë e zë një grup i parëndësishëm i quajtur Riva, me këngën e dobët “Rock Me Baby”. Çuditërisht, me këtë këngë të dobët që kishte përmbajtje “eskapiste” për një vend që gufonte nga nacionalizmi, Jugosllavia për herë të parë fitoi në Evrovizion. Ndërkaq, në festivalin Akordet e Kosovës, duke ndjekur këtë trend të çoroditur, “Okarinën e Artë” më 1989 – vit ky i suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe i rritjes së rezistencës popullore kundër politikave të Sllobodan Millosheviqit – e fiton “Rock Me Baby Kosovare”, një këngë infantile, me muzikë, tekst, aranzhman e interpretim të keq nga katër tinejxherë që, gjoja, ishin (Irida). Në të dy rastet, realizimi i qëllimeve politike synohej me degradimin e kulturës përmes garave më të rëndësishme e me më së shumti shikueshmëri. Sepse, përmes tjetërsimit kulturor, triumfit të antivlerave që nxisin ambiciet për famë nga secili, popujt nuk e njohin realitetin, frenohen e mbahen më lehtë nën kontroll.

Ai tjetërsim kulturor që nisi më 1989 e që do të kulmojë me mbylljen e shkollave dhe institucioneve kulturore në dy vjetët në vijim, e mban peng edhe sot Kosovën, siç e mban peng Shqipërinë hapja e egër ndaj Perëndimit, ku qëllim kryesor i shumicës ishte pasurimi me çdo kusht e jo zhvillimi dhe humanizimi i shtetit.

Liria si diktaturë

Tjetërsimi kulturor ka bërë që gjithçka në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni mund të quhet art, e se kushdo mund të bëhet i famshëm. Në El Doradon e mediokritetit, çdo injorant mund të ketë pushtet, e pushtetin ta ketë “punën” e parë me rrogë! Madje, do të cilësohet i mençur e do t’i besohet fati i vendit e i popullit. Masat nuk do të luftojnë për të vërtetën, aq më pak të kërkojnë llogari sepse, siç ka thënë Postman që më 1985 – kohë kjo kur nuk kishte portale të lajmeve e as rrjete virtuale sociale – ata janë të dhënë pas teknologjive që i zhbëjnë kapacitetet e të menduarit. Ndaj, “nuk flasin më me njëri-tjetrin; ata zbavitin njëri-tjetrin. Nuk shkëmbejnë ide; ata shkëmbejnë imazhe. Nuk debatojnë me propozime; ata debatojnë me dukje të mirë, me famë dhe reklama”.

Në këtë realitet të ri kemi një përmbytje të mendimeve e bindjeve të mëparshme për vlerat. Kështu, nëse dikur kishte ndarje strikte klasore në mes të shtresave të pasura e të varfra, sot ato bashkohen nga mediokriteti; nëse dikur kishte ndarje mes atyre me shkollim të duhur dhe atyre pa shkollim, sot është një thes për të gjithë; nëse dikur dikush identifikohej për qëndrim të denjë intelektual dhe moral, për sakrificën për një kauzë, sot kushdo mund të thirret veç me fjalë në kauza e të quhet idealist; nëse dikur dikush zinte vend në media për dije dhe vlera, sot ka hapësirë më të madhe për ata me mungesë të dijes dhe të vlerave; nëse dikur gabimi nuk falej lehtë, sot gabimi harrohet shpejt; nëse dikur duhej shumë mund për t’u bërë lider, sot mjafton të jetë aktor i mirë… sepse gjithçka është lojë!

Këtë kaos që po e imponon shoqëria e shoubizit, e trajton filmi “God Bless America” (Zoti e bekoftë Amerikën!, 2011), ku për të qenë normal në shoqëri abnormale duhet të jesh si masat – të merresh me thashetheme, me kauza të rrejshme, me trivialitete… ndryshe do të jesh i huaj, “prapanik” e i vetmuar. Diçka të ngjashme trajton filmi iranian “Lerd” (Njeriu i integritetit, 2017), që flet për korrupsionin në shoqërinë iraniane (siç është shoqëria shqiptare, kudo), realitet ky i hidhur ku nuk ka rrugë të mesme, veç dy mundësi jetësore: të jesh i shtypur ose shtypës. Në të dyja rrethanat njeriu nuk është i lirë: qoftë në diktaturë, apo në shoqëritë e shoubizit ku robëria vjen nga keqkuptimi i konceptit të lirisë – sidomos i lirisë së të shprehurit. Në të dy rastet e pëson i ndershmi dhe i dituri: në diktaturë mund të arrestohet e të heshtet zëri i tij, në shoqërinë e shoubizit e të debatit veçse është i heshtur meqë nuk përfillet.

Për t’u ruajtur kjo gjendje, populli vazhdimisht duhet të bombardohet me lajme të ngurta që nuk nxisin veprime; me debate shterpe që nuk ofrojnë zgjidhje; me llafe për ata që interpretojnë dhe komentojnë ngjarjet e jo për shkaktarët e fenomeneve; me debate për debatet…

Kjo anë e errët e Amerikës është gjuha (zbavitja), territori (lajmi), etnia (trivialiteti), psikologjia (injoranca), historia (harresa) dhe kultura (shoubizi) e sotme e shqiptarit. Ky është sot definicioni i kombit… shqiptar!

Megjithatë, Amerika është larg

Aktori nga Anglia, Sacha Baron Cohen, i njohur për portretizimin – në situata reale – të karaktereve të çuditshme fiktive, po e zbërthen së voni këtë anë të errët të Amerikës, në serinë televizive “Who Is America” (Kush është Amerika?). Përmes pesë karaktereve të reja dhe intervistave me emra të njohur – në mesin e të cilëve edhe Dick Cheney, nënkryetari më i fuqishëm në historinë amerikane, për çka për të u bë filmi “Vice” (Nënkryetari, 2018) – ajo që prezantohet nga bota e artit modern, politikës dhe shoubizit, është mjerim. Më i mjerë është edhe votuesi i cili jeton duke mbrojtur kauza të rrejshme nacionaliste nga frika se kërcënohet vazhdimisht nga armiqtë e jashtëm.

Scruton thotë se nacionalizmi zë hapësirën e lënë bosh nga religjioni. Ndërkaq, Harley Austin thotë se derisa nacionalistët adhurojnë qeverinë, zakonisht të llojit tiranik që e rrënon në mënyrë aktive vendin e tyre, patriotët janë diçka tjetër sepse e trajtojnë vendin me respekt dhe janë të gatshëm të luftojnë kundër një qeverie tiranike që kërcënon të drejtat e tyre.

Në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni nacionalistët me kauza të njëjta po mbijetojnë për mbi dy dekada. Në ShBA ata shpejt harrohen. Sepse, e keqja është pjesë e lajmeve, lajmet janë për t’u harruar e me to edhe njerëzit. Kështu citohet në filmin “Game Change” (Efekti Sara Palin, 2012), të ketë thënë truri i kampanjës së John McCainit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, Steve Schmidt, i cili, duke menduar se Amerika ka nevojë për aktor, zgjedh një injorante si Sarah Palin të jetë kandidate për nënkryetare. Karriera e Palinit me nominimin e vitit 2008 e mbërriti kulmin. Shans tjetër të madh për të nuk kishte, sepse këtë nuk e lejon ana tjetër e Amerikës: ana patriotike që i mungon shqiptarit e që e bën Amerikën të ketë katër universitete në katër vendet e para të listës së institucioneve më të mëdha të dijes në botë; të ketë 375 fitues të Çmimit Nobel; të ketë ekonominë më të fortë në botë; të jetë vendi më i fuqishëm; vendi që prin në inovacione; tokë e ëndrrave dhe e mundësive… Te këto vlera nuk ka lojë, nuk ka zbavitje. Njerëzit që i bartin ato mbrohen, çmohen dhe kanë zë – madje të fuqishëm.

Këtë anë të Amerikës nuk e duan pushtetarët shqiptarë, sepse kjo rrezikon mbijetesën e tyre dhe të secilit që ka mbijetuar dhe përfituar falë kaosit të vlerave.

Megjithatë, çdo lojë ka një fund. Asgjë nuk është e përjetshme. Këtë e thonë edhe profecitë shqiptare. Këtë e ka thënë latinët (Verba volant, scripta manent) dhe “profeti” i degjenerimit kulturor. “Fjala e shkruar reziston, fjala e folur zhduket. Kjo është arsyeja pse shkrimi është më afër të vërtetës se e folura”, ka thënë Postman. Prandaj, proklamuesit e anës së errët të Amerikës ndër shqiptarë, ata që janë të pushtuar nga mania e famës dhe e pushtetit, do të bien pre e trinitetit të tyre për mbijetesë: zbavitje, trivialitet dhe… harresë!

(Marrë nga numri i pestë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, botuar muajin e kaluar)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë…