Zotimet për ekonominë, në qendër të fushatës zgjedhore

04 shkurt 2025 | 17:02

Kosova mban të dielën zgjedhjet parlamentare që shihen gjerësisht si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me rezultat të thellë në vitin 2021.

Partitë politike kanë vendosur në qendër të fushatës së tyre zotimet për rimëkëmbjen ekonomike të vendit që përballet me papunësi, inflacion dhe nevojën për më shumë investime të huaja.

“Gjatë mandatit të ardhshëm paga minimale do të rritet mbi 500 euro, paga minimale nuk do të tatohet e kjo nënkupton që edhe për biznesin e vogël individual 6 mijë eurot e para të tatimit vjetor do të jenë të liruara nga tatimi”, tha gjatë një tubimi kryeministri Albin Kurti. “Në muajt e parë të qeverisjes sime pagat do t’i rris për 50 për qind… Përveç pagat për 70 për qind, do t’i rris pensionet bazike, do t’i rris edhe pensionet kontributdhënëse të cilat do të përshkallëzohen sipas viteve të punës”, tha gjatë një tubimi kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike, Bedri Hamza.

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në programin e LDK-së kanë paraparë pesë miliardë euro investime.

“Në programin tonë politik kemi pesë miliardë euro investime, pesë miliardë euro buxhet, pesë për qind rritje ekonomike… Që në javën e parë, asnjë javë tjetër më shumë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë, të gjithë mësuesve, mjekëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit do t’u rrisim pagat me koeficient 150”, tha Abdixhiku.

E kandidati për kryeministër nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë: “Unë kam thënë do t’i dyfishojmë pagat. Kjo do të ndodhë në sektorin publik, por do ta përmirësojmë edhe pozitën e punëtorëve në sektorin privat, për shkak se, ju tregova, ne do të bëhemi partnerë të bizneseve, do t’u japim atyre mundësi të investojnë e të bashkëinvestojnë me shtetin, me popullin”.

Zotimet janë të shumta, por sa janë të realizueshme këto premtime? Ekspertët me të cilët bisedoi “Zëri i Amerikës” shprehin këndvështrime të ndryshme rreth mundësive për realizimin e zotimeve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se të gjitha projektet e paraqitura nga partitë politike do të ishin të dobishme për zhvillimin ekonomik të vendit. “Mirëpo është vetëm çështje e partive politike se sa do t’i zbatojnë dhe në çfarë shtrirje kohore do t’i implementojnë. Kjo është ajo që pret biznesi. E mira është që asnjë masë nga të gjitha partitë, duke përfshirë edhe atë në pushtet, deri më sot nuk ka paralajmëruar ngritjen e ndonjë takse. Kjo është ajo ana pozitive”, thotë ai.

Për ekspertin e ekonomisë, ish-drejtorin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Lekë Musa, programet e partive politike nuk pasqyrojnë si duhet nevojat e vendit për zhvillim ekonomik. “Ajo që kemi mundur të dëgjojmë janë premtime koti në shumicën e rasteve, të cilat nuk kanë në prapavijë një analizë të tillë se a u duhen këto masa qytetarëve të Kosovës, a e shpien vendin përpara dhe çfarë do të jetë rezultati i këtyre masave të cilat ndërmerren”, tha ai.

Rrethanat aktuale, thotë zoti Rafuna, kërkojnë udhëheqës të hapur për dialog publiko-privat, ashtu që të gjenden mundësitë për trajtimin e problemeve thelbësore. “Kemi ndryshime shumë të mëdha jo vetëm në Kosovë e Ballkan, por edhe në Bashkimin Evropian dhe në Shtëpinë e Bardhë, por edhe në tregje tani me vendosjen e tarifës së tatimit doganor nga ana e administratës Trump. Kjo do të ketë një efekt global në tregti. Shto këtu që Kosova është edhe nën masa ndëshkuese. Ne nuk po mund të përfitojmë projekte kapitale nga Komisioni Evropian. Deri më tani vlera e tyre ka shkuar gati 300 milionë”, thotë Rafuna.

Ai thotë se vendi vuan për investime të huaja cilësore edhe për shkak të krizave të vazhdueshme si ato në veri të vendit. “Investitorë potencialë të cilët kanë ardhur në Odën Ekonomike për t’i parë mundësitë për investime në Kosovë, pyetja e parë e tyre ka qenë se kur do të bëhet luftë në Kosovë? Për shkak të sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it, bllokimi i rrugëve, më pas thirrjet që nuk kanë qenë mesazh i mirë nga ana e udhëheqësve tanë se po sulmohemi e do të sulmohemi nga Serbia”, thotë Rafuna.

Për Musën rritja e premtuar e pagave është proces që kërkon kohë dhe ndryshime të mëdha buxhetore. “Në momentin kur ta kemi qeverinë e re, ndoshta me ndryshime buxhetore në mes të vitit, mund të realizohen këto premtime. Mirëpo duhet thënë se për çfarëdo lloj ndryshimi, siç thashë edhe për reforma të tjera, duhet të ketë një analizë se përse duhet të ketë rritje të pagave në sektorin publik, cili do të jetë efekti i tij pastaj në sektorin privat? A ndikon në konkurrueshmërinë e Kosovës në tërheqje të investimeve të huaja? Cili do të jetë efekti në inflacion? Sa është rritja ekonomike? Sa jemi konkurrues pastaj me rajonin? Të gjitha këto duhet të jenë pjesë e këtyre premtimeve”, tha Musa.

Ndërkaq Rafuna tha se sektori privat ka lëvizur me rritjen e pagave. “Sektori privat ka lëvizur me rritjen e pagave, diku më shumë e diku më pak, varësisht si i kanë pasur kërkesat dhe mundësitë, mirëpo duhet edhe sektori publik të lëvizë. A është e realizueshme? Patjetër që është e realizueshme sepse ke ngritje ekonomike dhe mundësi buxhetore”, thotë Rafuna.

Në vlerësimin e fundit të Bankës Botërore për Kosovën, të përditësuar në tetor të vitit të kaluar, thuhet se vendi ka shënuar përparim të qëndrueshëm ekonomik që nga shpallja e pavarësisë, me një rritje prej 50-përqindësh të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35-përqindësh të shkallës së varfërisë. Megjithatë, për ta vazhduar rritjen ekonomike, Kosovës i duhen më shumë vende cilësore të punës, nëpërmjet trajtimit të pengesave të infrastrukturës, investimeve në kapitalin njerëzor dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat. /Zëri i Amerikës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder është shtruar në spital me sindromën…