Zotohen për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të FSK-së dhe Gardës së Ajovës
Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha dhe komandanti i kësaj force, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë pritur në takime të ndara komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneralmajorin Timothy Orr.
Fillimisht, ministri Rrustem Berisha dhe gjeneralmajori Timothy Orr kanë biseduar për marrëdhëniet dhe partneritetin e suksesshëm ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, partneritet ky në kuadër të partneritetit shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Ajovës.
Ministri Berisha e ka vlerësuar lartë angazhimin konkret të gjeneral Orrit dhe Gardës Kombëtare të Ajovës për mbështetjen e vazhdueshme që po ofron për FSK-në, e sidomos në realizimin në tërësi të planit të aktiviteteve të përbashkëta vjetore, qoftë të ushtrimeve, trajnimeve dhe shkollimeve si edhe shkëmbimeve tjera që FSK dhe garda e Ajovës zhvillojnë për çdo vit, që nga viti 2011 e deri më tani.
Edhe në takimin e gjenerallejtënant Rrahman Ramës dhe gjeneralmajor Timothy Orr është biseduar mbi sukseset e bashkëpunimit intensiv në mes të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Po ashtu është biseduar edhe për objektivat për avancimin e këtij bashkëpunimi me zotimin për një koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm edhe në të ardhmen.
/Epoka e re/