ZPS-ja: Gucati dhe Haradinaj kishin marrë veprime për zhbërjen e Gjykatës Speciale
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të hënën ka filluar dhënien e deklaratës përmbyllëse në gjykimin ndaj drejtuesve të OVLUÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Me këtë rast, prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Valeria Bolicci, ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kishin ndërmarrë veprime që ta zhbënin Gjykatën Speciale.
“Në 15 paraqitje publike dhe deklarata të akuzuarit kanë deklaruar se ata po i kryenin këto veprime në mënyrë që të shpërbënin këtë gjykatë, pra të zhbëhet kjo gjykatë”, ka thënë Bolicci.
Po ashtu, ajo ka deklaruar se në qoftë se faktet e kësaj çështje penale nuk injorohen dhe nuk keqinterpretohet ligji i zbatueshëm, do të pranohet përgjegjësia penale e të akuzuarve si shumë e qartë.
Sipas saj, mbrojta e di shumë mirë këtë dhe prandaj e argumenton se të akuzuarit megjithatë duhet të shfajësohen nga përgjegjësia penale bazuar mbi një numër mbrojtjesh të sajuara, të cilat sipas saj nuk bazohen në dispozita të shëndosha.
Prokurorja Bolicci ka theksuar se gjatë gjithë këtij gjykimi të akuzuarit janë përpjekur që ta paraqisnin veten si përfaqësues dhe flamurtarë të një drejtësie të lartë, një version i modern i “Antigonës”.
“Ata thonë se nuk duhet të ndëshkohen sepse duke shkelur ligjin ata ndoqën synimet e drejtësisë që i kanë përkufizuar ata vetë. Ne këtu nuk do të përfshihemi në thënie se pse ligji për mbrojtjen e sekretit të hetimeve, privatësisë, sigurisë, dinjitetit mirëqenies së dëshmitarëve janë të domosdoshme dhe të drejtpërdrejtë. Ne gjithashtu nuk do të diskutojmë se pse nëse të akuzuarit në fakt u përpoqën të ndjekin apo të zbatojnë interesat e një grupi individësh kundër interesave të shoqërisë që bazohen në ligj”,ka thënë ajo.
Më tutje, Bolicci ka thënë se provat kundër Gucatit dhe Haradinajt janë bindëse, ku siç ka theksuar ajo në video incizime ata shihen dhe dëgjohen duke e shprehur me fjalë qëllimin e tyre “kriminal” në mënyrë të hapur dhe të ashpër dhe të përsëritur.
“Mbetet e pa kundërshtuar se të dy kanë bërë tre konferenca shtypi më 7, 16 dhe 22 shtator 2020, nuk është kundërshtuar se ata kanë shpallë se kishin në posedim dokumente konfidenciale që i përkisnin TFH-së dhe ZPS-së që përmbanin emra dhe të dhëna personale të dëshmitarëve të mbrojtur si dhe nuk kundërshtohet se ata kanë shpallur se kanë dhënë këto informacione konfidenciale aty që ishin të pranishëm dhe të gjithë publikut, është e incizuar se ata iu drejtuan dëshmitarëve ose i quajtën dëshmitarët dhe ata që bashkëpunuan me ketë gjykatë si tradhtarë, gënjeshtarë, spiunë dhe bashkëpunëtorë dhe ata thanë që këta dëshmitarë nuk mund të mbroheshin më”, është shprehur ajo.
Sipas prokurores së ZPS-së, pjesa tjetër e provave që janë paraqitur në gjykatë plotësojnë dhe vulosin provën për përgjegjësinë e të akuzuarve për të gjitha krimet në aktakuzë përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Provat shtesë erdhën jo vetëm nga dëshmitarët të paraqitur nga ZPS-ja, por papritur dhe në mënyrë shumë domethënëse edhe nga dëshmitarët që paraqitën nga mbrojtja sa herë që dëshmitarët e mbrojtjes u përballën me faktet që lidheshin me akuzat, ata nxorën prova inkriminuese njëra pas tjetrës, duke filluar edhe nga vet të akuzuarit”, ka thënë prokurorja Bolicci.
Ndërsa kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith II, ka bërë të me dije nesër (e martë) dhe pasnesër (e mërkurë) se pritet që avokatët mbrojtës të Hysni Gucatit dhe Nasim Harasinajt t’i paraqesin deklaratat e tyre përmbyllëse.
Më pas, sipas tij, më 17 mars do të pasohet me përgjigjet si dhe parashtrimet e ZPS-së lidhur me dënimin, kurse, më 18 mars do të vazhdohet me parashtrimet e mbrojtjes lidhur me dënimin dhe me deklaratat e të akuzuarve.
Ndryshe, Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj janë duke u akuzuar për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. Këto akuza janë mohuar në vazhdimësi nga Gucati dhe Haradinaj.