ZPS-ja kërkon që Pjetër Shala të dënohet me 28 vjet burgim
Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Eva Wyler, ka kërkuar nga trupi gjykues që Pjetër Shala të dënohet me dënim unik me kohëzgjatje prej 28 vjet burgim.
“ZPS-ja kërkon që trupi gjykues të caktojë dënime në vijmë ndaj të akuzuarit për krimet individuale për të cilat akuzohet. Pika 1: për ndalim arbitrar tetë vjet burg. Pika 2: Trajtim mizor, 15 vjet burg. Pika 3: Torturë, 20 vjet burg. Për pikën 4: vrasje, 26 vjet burg. Në përputhje me rregullën 1634 të Rregullores, trupi gjykues të caktojë një vendim të vetëm që pasqyron tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuari. ZPS-ja kërkon që të caktohet ndaj të akuzuarit një dënim i vetëm prej 28 vjet burg”, ka thënë prokurorja Wyler, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas prokurores, ndryshe nga përshkrimi që i bën mbrojtja, Shala ka qenë një person që i ka bërë 18 persona viktima të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së njërit prej tyre.
“Mbrojtja e përshkruan të akuzuarin si një ushtar i thjeshtë i UÇK-së i cili ndihmoi popullin e tij për të luftuar në front. Provat në këtë çështje që kemi në dispozicion megjithatë vërtetojnë se ai ishte sigurisht edhe një tjetër person. Një person i cili ka bërë 18 persona viktima të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së njërit prej tyre”, ka thënë Wyler.