ZPS-ja kërkon t’i vazhdohet masa e paraburgimit Pjetër Shalës
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), përmes një parashtrese, ka kërkuar nga trupi gjykues që Pjetër Shalës t’i vazhdohet masa e paraburgimit, duke e konsideruar këtë masë si të nevojshme dhe proporcionale.
Sipas ZPS-së, asnjë fakt ose rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që të mundë ta ndryshojë këtë konstatim që kur trupi gjykues e ka vendosur atë në vendimin e dhjetë të paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më tutje, në këtë parashtresë është thënë se “vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe rreziqet që i akuzuari, nëse lirohet, do të arratiset, do të pengojë procedurën ose do të kryejë krime të mëtejshme, duke përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë ofruar dëshmi për ZPS-në dhe/ose janë paraqitur/do të dalin së shpejti para DhSK-së mbeten të larta”.
Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
Të gjitha këto akuza janë mohuar nga Pjetër Shala dhe mbrojtja e tij.