ZPS-ja propozon t’i vazhdohet paraburgimi Salih Mustafës, mbrojtja kërkon lirimin e tij
Përmes parashtresave për rishikim të masës së paraburgimit drejtuar trupit gjykues, përderisa Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për Salih Mustafës, derisa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tij nga kjo masë.
Sipas ZPS-së ekziston dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, rreziku i arratisjes, ndërhyrjes te dëshmitarët e viktimat, si dhe rreziku që i akuzuari mund të kryejë krime.
Ndërsa mbrojtja me parashtresën e saj, ka kundërshtuar të gjitha të lartcekurat e ZPS-së, si dhe ka kërkuar që Mustafa të lirohet nga paraburgimi dhe sipas tyre nëse gjykata e vlerëson të nevojshme mund të vendosë çdo kusht të lirimit, që e gjykon si të nevojshme dhe përshtatshme.
Gjykimi ndaj Salih Mustafës pritet të fillojë me 15 shtator 2021.
Ndryshe, më 28 tetor, ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm për katër akuzat e ngritura ndaj tij nga Specialja.
Më 28 shtator Salih Mustafa nuk kishte pranuar të deklarohet për akuzat që lidhen me krime lufte në Kosovë. Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi/