ZPS-ja pyet dëshmitarin e tetë për stërvitjet në Bajgorë, ai përmend komandant Remin
Në rastin e gjykimit të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të hënën ka nisur dëshminë, dëshmitari i tetë.
Një pjesë e seancës ishte e hapur dhe aty Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka pyetur dëshmitarin për disa ushtrime që janë zhvilluar në Bajgorë.
Dëshmitari ka thënë se ata stërvitjet i kryenin në një shkollë në fshatin Bajgorë.
“Stërvitja ka qenë e përqendruar në fshatin Bajgorë, në një shkollë. Ka qenë bazë -zonë operative, ku pas stërvitje ka qenë i përqendruar vet shtabi atje, depoja e municionit dhe kuzhina ushtarake”, ka thënë dëshmitari.
Më pas ai është pyetur nga prokuroria se kush i trajnonte ata dhe se çfarë rroba patën të veshur personat që i trajnonin. Po ashtu, ai është pyetur nëse ka njohur ndonjërin prej komandantëve që ishte prezantuar gjatë atij trajnimi.
“E mbaj mend se na ishte prezantuar komandat Remi, ishte komandant i zonës së Llapit”, ka thënë dëshmitari i tetë