ZPS-ja urdhërohet që deri më 17 dhjetor ta dorëzojë dosjen paraprake në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është urdhëruar që deri më 17 dhjetor të këtij viti të dorëzojë dosjen paraprake në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë duke u akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Vendimi i gjyqtarit paraprak, Nicolas Guillou është marrë pasi në konferencën e tetë mbi ecurinë e çështjes, të mbajtur më 29 tetor, prokuroria kishte deklaruar se pasi kanë shqyrtuar burimet që kanë, konfirmojnë se do të jenë në gjendje të dorëzojnë dosjen paraprake në rastin e Hashim Thaçit e të tjerëve dhe materialet që lidhen me të më 17 dhjetor 2021.
Lidhur me këtë deklarim, mbrojtja e të akuzuarve kishte shfaqur pakënaqësitë e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.