ZPS kërkon që Thaçit t’i vazhdohet masa e paraburgimit
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi t’i vazhdohet masa e paraburgimit.
“Gjyqtari i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se paraburgimi i Thaçit është i arsyetuar në baza të shumëfishta, se asnjë kusht i shkurtër i paraburgimit në objektet e paraburgimit të Dhomës së Specializuar të Kosovës (DhSK) s’do të ishte i mjaftueshëm për të minimizuar rreziqet dhe se periudha e paraburgimit – duke marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante është e arsyeshme”, është thënë në kërkesë të tyre.
Sipas tyre, që nga përcaktimi më i fundit i këtij Paneli më 19 dhjetor 2022, nuk ka pasur asnjë ndryshim në rrethanat që devijojnë nga ai përcaktim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në të vërtetë, transferimi i çështjes në Panel, caktimi i datës së gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që tregojnë progres të qëndrueshëm dhe do t’i japin Thaçit qasje të mëtejshme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tij, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit”, është thënë në kërkesën e ZPS-së.