ZPS për dëshmitarin e 76-të: U keqtrajtua nga anëtarët e UÇK-së, kushëriri i tij u rrëmbye
Dëshmitari i 76-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W04445 dhe është me masa mbrojtëse, filloi dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Pyetjet për këtë dëshmitar i filloi përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Dunja Hadabi. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ajo, dëshmitari është marrë në pyetje dhe është keqtrajtuar nga anëtarët e UÇK-së, ndërsa kushëriri i tij ishte rrëmbyer dhe më vonë u gjet i vdekur.
“Dëshmitari 04445 dhe të afërmit e tij përkrahnin LDK-në. Në 1998-ën, anëtarët e UÇK-së rrëmbyen e kushëririn e dëshmitarit 04445. Në 1998-ën u gjet trupi i kushëririt të dëshmitarit 04445. Në fund të 1998-ës disa pjesëtarë të UÇK-së e morën dëshmitarin 04445 nga shtëpia e tij dhe e quan diku dhe i thanë që kishin urdhër nga shtabi për ta marrë në pyetje. Dëshmitari 04445 është mbajtur për një natë në një dhomë pa shtrat dhe ushqim. Gjatë kohës që është mbajtur i ndaluar, dëshmitari 04445 është marrë në pyetje, është kërcënuar dhe është keqtrajtuar”, tha prokurorja.
Ajo shtoi se dëshmitari u lirua më pas, por u largua së bashku me familjen pasi u paralajmërua se anëtarët e UÇK-së po e kërkonin për ta vrarë.
“Anëtarët e UÇK-së e futën dëshmitarin 04445 në një kerr dhe e vozitën drejtë fshatit të tij dhe e liruan. Iu desh javë që të merrte veten nga lëndimet që i shkaktuan dhe trauma psikologjike ka zgjatur edhe më shumë. Disa kohë më pas, atij i thanë që anëtarët e UÇK-së e kërkonin për ta vrarë. Ai u fsheh dikun dhe u largua më vonë bashkë më familjen”, tha ajo e që me pas për pyetjet kërkoi seancë private.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër orë, nga të cilat një orë është ndarë për ZPS-në, 15 minuta për mbrojtësin e viktimave dhe dy orë e gjysmë për ekipet e mbrojtjes.
Gjatë pyetjeve të prokurores se a qëndrojnë ato që ka thënë për ZPS-në, dëshmitari tha se i ka folur vetëm të vërtetat.
“Ato të vërtetat i kam fol dhe të vërtetat do t’i foli”, tha ai. Duke shtuar se ato gjëra që i ka thënë për ZPS-në pasqyrojnë saktësisht atë që do të thoshte edhe sot në sallën e gjyqit.
Ndryshe, të gjitha dëshmitë e mëhershme ët dëshmitarit u pranuan në prova materiale së bashku me përmbledhjen e lexuar nga prokurorja.