![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/ZRRE.png)
ZRRE-ja: Çdo deklaratë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike aktualisht është e pavërtetë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë me dije se ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar, në përputhje me kërkesat ligjore, për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale dhe janë në proces të vlerësimit nga ZRRE, por sipas tyre, aktualisht çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik.
Në njoftimin për medie, thuhet se këto aplikacione janë aktualisht në proces të vlerësimit nga ZRRE-ja, dhe pas përfundimit të këtij procesi, ZRRE-ja do të publikojë raportin konsultativ, i cili do të ndahet me publikun për shqyrtim dhe komente.
“Dëshirojmë të sqarojmë për opinionin publik se çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Këto pretendime nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat aktuale të pranuara nga operatorët e licencuar dhe nuk pasqyrojnë procesin në vazhdim të vlerësimit nga ZRRE. ZRRE fton të gjitha palët e interesuara dhe qytetarët që për çdo pyetje, shqetësim ose informacion lidhur me këtë proces, të kontaktojnë drejtpërdrejt me ZRRE për të marrë informacionin e saktë dhe të bazuar në procedurat ligjore dhe rregullative të përcaktuara”, thuhet në njoftim.
ZRRE thekson tutje se angazhimit i tyre është që të sigurojnë një proces transparent dhe të drejtë, që i shërben interesave të qytetarëve dhe zhvillimit të sektorit të energjisë në përgjithësi.