ZRrE-ja miraton kërkesën për bashkimin e tregjeve energjetike Kosovë – Shqipëri
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka miratuar të hënën kërkesën e “Alpex”-it për fillimin e tregtimit të energjisë në kursin shqiptar.
Ky proces pritet të fillojë nga 1 shkurti, që për ZRrE-në konsiderohet hap i rëndësishëm për vendin. Në mbledhjen e bordit të këtij institucioni, kryesuesi Ymer Fejzullahu tha se ky është rasti i parë i bashkimit të dy tregjeve.
Sipas tij, ky është një hap i madh dhe se shpreson se do të jetë shembull edhe për vendet tjera për bashkim të tregjeve.
“Është një hap i madh drejt finalizimit të një procesi që është filluar pothuajse dhjetë vjet më parë. Është një ditë e madhe për sektorin e energjisë, që ta kemi mundësinë që nga data 1 shkurt të shesin dhe blejnë energjinë në kursin shqiptar. Po shpresojmë që ky treg do të jetë në të ardhmen, një prej tregjeve më likuide në Ballkan, duke pasur parasysh se është në Ballkanin Perëndimor është rasti i parë kur në të njëjtën ditë fillon edhe krijimi i një tregu për zonën e Kosovës por edhe bashkimi i dy tregjeve”, ka thënë Fejzullahu.
Më tutje, ai ka thënë se synohet që në të ardhmen të ketë bashkim të tregut edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, raporton “Ksp”.
Ndërsa Skënder Muqolli nga Departamenti i Tregut në ZRrE, ka thënë se kërkesa e “Alpex” për fillimin e tregtimit i plotëson kushtet.
“‘Alpex’ kërkon nga ZRrE-ja miratimin e fillimit të tregtimit për zonën tregtare të Kosovës, e cila do të përkojë me vitin e fillimit të bashkimit të tregjeve të energjisë elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës, në përputhje edhe me parashikimet e nenit 5 të marrëveshjes kornizë mbi tregjet e energjisë elektrike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e bordit të ZRrE-së, Muqolli ka thënë se “Alpex” ka përfunduar periudhën e parë të testimit për integrimin e sistemeve.