
ZRrE-ja: S’është marrë vendim për rritjen e tarifave të energjisë, presim sugjerime mbi raportin
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka sqaruar opinionin publik se nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Në kuadër të transparencës dhe përfshirjes së palëve të interesuara, ZRrE ka njoftuar se ka publikuar për konsultim Raportin konsultativ për të hyrat e lejuara maksimale.
ZRrE-ja ka ftuar konsumatorët, organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset që të shprehin komentet dhe sugjerimet e tyre deri më 28 mars.
Njoftimi i plotë:
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dëshiron të sqarojë opinionin publik se aktualisht nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë. Me qëllim që të sigurohet transparencë dhe të krijohet mundësia e një dialogu të hapur nga të gjitha palët e interesuara, ZRrE-ja ka vendosur të ndajë për konsultim publik Raportin konsultativ për të hyrat e lejuara maksimale.
Në kuadër të përpjekjeve për të garantuar një proces të hapur dhe transparent, ZRrE-ja fton të gjitha palët e interesuara – përfshirë konsumatorët, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, që të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre mbi raportin e publikuar deri më 28 mars. Ky proces është një mundësi për të siguruar që çdo vendim të marrë të bazohet në mendime të shumta dhe të ndihmojë në krijimin e një sistemi të drejtë dhe të balancuar për të gjithë.
ZRrE-ja është e angazhuar për të siguruar informacion të plotë, të saktë dhe të qartë dhe për të mbajtur një komunikim të hapur dhe të vazhdueshëm me publikun për çdo zhvillim që mund të ndikojë në tarifat e energjisë. Për më shumë detaje dhe për të paraqitur komentet tuaja, ju mund të vizitoni faqen zyrtare të ZRrE-së.