ZRRE licencon edhe një projekt të erës në Bajgorë
Çdo ditë e më shumë, Kosova po bëhet gati për t’u përballur me krizën e mundshme energjetike në Evropë, të shkaktuar nga rritja e çmimit të rrymës në bursa ndërkombëtare dhe rritja e konsumit të rrymës për shkak të rënies së temperaturave.
“Në mbledhjen e tyre të jashtëzakonshme sot, anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kanë licencuar projektin e dytë të erës në Bajgorë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 34.47 megavatësh. Kësisoji, pas këtij vendimi projekti i dytë i erës në Bajgorë mund të fillojë prodhimin. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm, tani që çmimet e rrymës në bursë janë jashtëzakonisht të larta, dhe nevoja për këtë produkt gjithmonë është në rritje. Bordi i ZRRE-së ka lejuar operimin e projektit Selaci 2 të SOWI Kosovo në periudhë 40 vjeçare, pasi kompania ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme për përmbyllje të procesit të autorizimit”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
Dy projekte të SOWI Kosovo tashmë janë licencuar, i treti pret licencimin së shpejti
Ndërmarja kosovare-gjermane-izraelite ‘SOWI Kosovo’ ka ndërtuar tri projekte të prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatësh.
“Pas vendimit të sotëm, dy nga këto projekte janë licencuar. Ndërsa projekti i parë ka filluar prodhimin pak kohë më parë, i dyti, apo projekti i licencuar sot, së shpejti do të fillojë prodhimin dhe futjen e sasive të prodhuara në rrjet. Ende mbetet licencimi i projektit të tretë me 34.47 megavat të instaluara, që pritet të ndodhë gjatë këtij muaji. Licencimi i projekteve ishte paralajmëruar edhe nga ministrja Rizvanolli gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Për t’u përballur me krizën energjetike, ministrja ka thënë se KEK është duke bërë përpjekje maksimale për të futur në operim njësinë A3, ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës bashkë me ZRRE-në janë duke e marrë me prioritet licencimin e projekteve tashmë të ndërtuara të erës në Bajgorë”, thuhet në njoftim.