ZRrE pret Kushtetuesen për rimbursim të faturimit të rrymës në veri
Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike tha se po pret nga Gjykata Kushtetuese që të nis shqyrtimin e kërkesës së saj për faturimin e rrymës në veri.
“Ne lidhje me rimbursimin e mjeteve nga faturimi I rrymës ne veri, ju informojmë se ZRRE-ja, ka parashtruar kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me datë. 24.05.2023. Nga Gjykata Kushtetuese me dat.16.06.2023, ZRRE-ja është njoftuar për regjistrim të rastit dhe është në pritje të shqyrtimit nga Gjykata.”
Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk e kanë paguar rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. Një gjykatë në Kosovë vendosi që pagesa e rrymës së shpenzuar për veriun nga qytetarët e tjerë të Kosovës ishte e jashtëligjshme. Por problemi nuk u zgjidh edhe pas bisedave në Bruksel kur u arrit pajtueshmëria për cështjen e energjisë dhe licencimin e një kompanie serbe. Zyra e Rregullatorit tha se janë nënshkruar një numër marrëveshjes por ende kanë mbetur për t’u finalizuar disa çështje
.“Ne lidhje me zbatimin e marrëveshjes për energji ne mes Kosovës dhe Serbisë, ju informojmë se në mes KOSTT dhe Elektrosever janë nënshkruar; Marrëveshja Kornizë për Aderim në Rregullat e Tregut, Marrëveshja mbi detyrimet e Balancimit, si dhe është marrë kodi i identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga Licenca për Furnizim.
Në proces janë marrëveshjet komerciale me KEDS për Ofrimin e Shërbimeve në katër komunat veriore, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me ofrimin e qasjes ne nënstacionin e Vallaqit dhe në infrastrukturën e transmetimit (KOSTT) dhe shpërndarjes (KEDS).
Debati rreth rrymës në veri u nxit nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili kërkoizbatimin e udhërrëfyesi për energji elektrike.
“Implementimi i udhërrëfyesit për Marrëveshjen për energjinë është në çështje urgjente. Mospegesa nxit veprimtaritë kriminale në kosto të taksapaguesve dhe mjedisit. Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet. Ne presim dhe kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër”
Por shefi i së ashtuquajturës “zyrës për Kosovë” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, akuzoi Qeverinë e Kosovës për, sic tha, bllokimin e marrëveshjes për energji.
”Prishtina ka penguar zbatimin e Udhërrëfyesit të Energjisë që nga tetori. Në mars Beogradi kërkoi që çështja të zgjidhej dhe më pas në prill erdhëm në Bruksel me të gjithë ekspertët dhe vetëm Bislimi. Prej dy muajsh presim përgjigjen e z. E qartë se kush e saboton marrëveshjen”
Në qershor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia ishin dakorduar për Udhërrëfyesin për zbatim të marrëveshjes për energjinë të vitit 2013, për çështjen e faturimit të rrymës në komunat veriore të Kosovës./RTV21