Zuckerberg: Nuk jep dorëheqje
Pavarësisht një viti tejet të trazuar për platformën sociale të themeluar prej tij, Mark Zuckerberg, shef ekzekutiv i “Facebook”-ut, ka deklaruar të martën për CNN-in se nuk e ka në plan të jep dorëheqje. “Nuk është ky plani”, ka thënë Zuckerberg për “CNN Business”, teksa u pyet nëse do ta konsideronte një dorëheqje të mundshme si drejtues i rrjetit social më të përhapur në botë.
Ai i doli gjithashtu në mbrojtje të kryeshefes operacionale të “Facebook”-ut, Sheryl Sandberg, që është kritikuar ashpër për shkak të mënyrës së saj të menaxhimit të krizës së kohëve të fundit të gjigantit teknologjik.
“Sheryl është aset me të vërtetë shumë i rëndësishëm i kësaj kompanie, pasi po udhëheq shumë prej përpjekjeve ndaj shumicës së problemeve që kemi pasur dhe kemi. Ka qenë një partnere e rëndësishme për mua në dekadën e fundit. Jam krenar për punën që kemi bërë bashkë dhe shpresoj të punojmë bashkërisht edhe për dekada të tjera”, është shprehur ai.
Se fundi, “Facebook” është përballur me kritika të mëdha: për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara; me skandalin e “Cambridge Analytica”, gjatë të cilit të dhënat e përdoruesve u shfrytëzuan në përpjekje për të ndihmuar kandidatin Donald Trump; si dhe një dështim sigurie i rëndësishëm, që përfshiu miliona llogari në rrjetin social.
Një artikull investigativ i publikuar nga “New York Times” javën e kaluar ka vlerësuar se “Facebook”-u ka mashtruar publikun mbi atë që dinte nga ndërhyrje ruse në zgjedhje, madje kishte përdorur një firmë “PR”-i për të përhapur lajme negative mbi kompani të tjera nga Silicon Valley, në mënyrë që të shmangte vëmendjen apo irritimin ndaj vetes.
“Për mua nuk është ende e qartë nëse raporti është i vërtetë apo jo. Për shumë gjëra që ishin në atë raportim, ne kemi biseduar me reporterët përpara atij publikimi dhe u kishim thënë se, nga sa shihnim ne, asgjë nuk ishte e vërtetë. Por ata zgjodhën ta publikonin, pavarësisht kësaj”, ka deklaruar Zuckerberg për artikullin e “NYT”./tch/