Zuckerbergu ka një mesazh për popullin amerikan pasi u gozhdua nga senatorët
CEO i gjigantit teknologjik Meta, Mark Zuckerberg u ka kërkuar falje familjeve gjatë një seance dëgjimore në Senatin Amerikan mbi ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët.
Pas një debati intensiv me senatorin, Josh Hawley dhe të tjerë rreth imazheve shqetësuese që shfaqin abuzimin seksual të fëmijëve në rrjete sociale, Zuckerberg foli drejtpërdrejt me familjet që mbanin fotografitë e fëmijëve që sipas tyre janë dëmtuar nga rrjetet sociale.
“Më vjen keq për gjithçka që keni kaluar. Është e tmerrshme. Askush nuk duhet të kalojë nëpër gjërat që keni kaluar ju, dhe kjo është arsyeja pse ne investojmë kaq shumë dhe do të vazhdojmë të përpiqemi për t’u siguruar që askush nuk kalon nëpër të njëjtat vuajtje si ju”, tha Zuckerberg.
Ky i fundit ishte një nga krerët e kompanive më të mëdha teknologjike, të cilat u përballën me akuza nga senatorët amerikan.
Të përfshirë në debate ishin edhe udhëheqësit e X, TikTok dhe Discord.
Sipas ligjvënësve këto kompani kanë dështuar në përpjekjet e tyre për mbrojtjen e fëmijëve nga “grabitqarët seksual”. /Telegrafi/