Zuckerbergu i pranon gabimet që ka bërë rrejti social “Facebook”
Në vazhdën e skandalit me keqpërdorimin e të dhënave të përdoruesve të rrjetit social “Facebook” nga kompania “Cambridge Analytica”, themeluesi i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, ka pranuar se “janë bërë gabime” nga kompania e tij në menaxhimin e kësaj çështje.
Kreu i gjigantit amerikan mori përgjegjësi personale për vjedhjen e të dhënave personale të pesëdhjetë milionë përdoruesve të “Facebook”-ut nga “Cambridge Analytica”, duke thënë se “unë jam themelues i ‘Facebook-ut’ dhe në fund të ditës unë jam përgjegjës për atë që ndodh në platformën” .
Zuckerberg ka argumentuar se “Cambridge Analytica” ka keqpërdorur politikën e vjetër të “Facebook”-ut, e cila ishte në fuqi para 2014, duke u lejuar programueseve të aplikacioneve të kishin qasje jo vetëm në të dhënat e përdoruesve që përdornin këto aplikacione, por edhe të miqve të tyre.
Sipas kompanisë, “Cambridge Analytica” ka arritur të mbledhë të dhëna përmes aplikimit psikoanalitik të akademikut Alexandr Kogan, për më shumë se 300,000 abonentë dhe miq të tyre.
Zuckerberg ka konfirmuar se “Facebook” është informuar për problemin në vitin 2015 dhe mori siguri nga Kogan dhe “Cambridge Analytica” se të dhënat që ishin shkëputur u shkatërruan, gjë që përfundimisht doli të ishte e rreme.
Megjithatë, ai ka deklaruar se: “janë bërë lëvizje të rëndësishme për të parandaluar diçka të ngjashme”, duke vënë në dukje edhe një sërë masash që do të marrë kompania e tij për të rritur më tej sigurinë e përdoruesve të “Facebook”-ut dhe për ta bërë më të vështirë vjedhjen e të dhënave.
Në veçanti, me një njoftim në llogarinë e tij personale, ndër të tjera Zuckerberg ka theksuar se kompania do të ndalojë qasjen në rrjet të programeve që kanë bërë çdo lloj keqmenaxhimi të të dhënave personale të përdoruesve të “Facebook”-ut.
Ai vuri në dukje se “Facebook” do të kontrollojë të gjitha aplikacionet që kanë qasje në një vëllim të madh të të dhënave në të.
Zuckerberg ka shtuar se në krye të faqes së internetit (news feed) do të vihet një instrument që i lejon çdo përdoruesi të bllokojë aplikacionet që mund të kenë qasje te të dhënat personale.