Zulfiu: Rijeka ka kualitet, por në futboll gjithçka është e mundur
Sulmuesi anësor nga Miratoca e Preshevës, Iljasa Zulfiu, i njohur ndryshe edhe si “Caja”, ka folur në një intervistë për “Telegrafin”, ku ka treguar ndjenjat e tij për kalimin historik të Dukagjinit në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, por edhe për ambientimin e tij me klubin klinas, ndeshjen e radhës në Evropë ndaj Rijekës dhe ëndrrën e tij të madhe.
Dukagjini ka arritur të sigurojë kalimin në raundin e dytë të Ligës së Konferencës pas fitoreve në dy ndeshjet ndaj Europa FC të Gjibraltarit. Një nga më meritorët për kalimin tutje të klinasve, ishte sulmuesi anësor Iljasa Zulfiu, i cili në ndeshjen e parë në Prishtinë shënoi në minutat shtesë golin e fitores 2-1, ndërsa dje (e enjte) në udhëtim shënoi dy gola. Pas fitores dhe kalimit në raundin e dytë, Zulfiu ka treguar se ndihet shumë i kënaqur pasi po bëjnë histori me klubin nga Klina, në të cilin është pritur shumë mirë nga të gjithë dhe po kalon momente të mira. “Jemi shumë të kënaqur si unë gjithashtu edhe ekipi sepse ishte kalim historik për Klubin e Dukagjinit”, ka thënë fillimisht Zulfiu. “Kam bërë tash 1 vit dhe ndihem shumë mirë, pasi kam gjetur një ambient shumë të mirë si me pjesëtarët e klubit, si me bashkëlojtarët”.
“Caja” ka folur edhe për kundërshtarin e ardhshëm të Dukagjinit, gjigantin kroat Rijekën, të cilin e vlerëson shumë, por thotë se do të hyjnë për rezultat pozitiv. “Shpresoj që me Rijekën të marrim një rezultat pozitiv edhe pse e dimë që Rijeka ka kualitet. Por, në futboll gjithçka është e mundur dhe ne si ekip do ta japim maksimumin”. Në fund, 25-vjeçari nga Miratoca e Preshevës ka folur edhe për ëndrrën e madhe për të luajtur te ndonjë klub evropian. “Edhe unë si çdo lojtar ëndërroj të dalë në Evropë të luaj me ndonjë klub evropian. Shpresoj që një ditë Zoti të ma plotësojë dëshirën. Por, jo vetëm mua, por çdonjërit”, përfundoi ylli i Dukagjinit.
Dukagjini ndeshjen e radhës në raundin e dytë të Ligës së Konferencës do ta zhvillojë me datë 27 korrik nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa atë kthyese më 3 gusht nga ora 20:15.