Zumberi: Ndihem superior ndaj kundërshtarëve, synoj majat në sport

17 tetor 2024 | 13:45

Sportisti Denis Zumberi është shqiptari i radhës që ka filluar të shkëlqejë në botë. Ai ka filluar të korrë dalëngadalë suksese. Ka regjistruar katër fitore në po aq “luftëra” të zhvilluara në sportin e arteve të përziera marciale. Denisi synon t’i arrijë majat në këtë sport, derisa një ditë të zhvillojë edhe një meç në Kosovë.

Denis Zumberi është një tjetër sportist shqiptar që po ndriçon në botë. Denisi, një sportist gjigant, ka lindur dhe është rritur në Gjermani, por prejardhja e tij është nga Kosova, përkatësisht Peja. Edhe Denisi si shumë shqiptarë të tjerë dashurinë për sportet luftarake e ka në zëmër. Këtë e trashëgoi nga babai Valoni. Ky i fundit në vitet 1993-1994 ishte marrë me sportin e kikboksit, por një lëndim e kishte penguar të vazhdojë më tutje. “Sportet luftarake janë në gjenet e mia. Vetëm po e vazhdoj rrugën e babait tim dhe për këtë jam shumë krenar. Shpresoj që në të ardhmen me suksese të mëdha ta gëzoj familjen dhe shqiptarët”, ka thënë Zumberi në një bisedë për “Epokën e re”.

Fillimisht 23-vjeçari ka filluar me sportin e budingut, duke arritur të gjitha synimet, më pas ka kaluar në sportin e boksit. Pas një fitore ai kishte filluar të merrej intensivisht me përgatitje për gjashtë muaj për meçin e dytë në karrierën e tij, por vetëm dy ditë para këtij meçi kundërshtari e anuloi dhe kjo ishte një thyerje për shqiptarin Zumberi. “Isha përgatitur në maksimum, duke mos kursyer asgjë. Anulimi më ka thyer pasi për muaj të tërë isha marrë vetëm me përgatitje dhe këtu mendova se boksi nuk është një sport për mua, pasi duhet të presësh shumë për meçin e radhës”, ka thënë Zumberi, i cili më pas kalon në sportin e Arteve të Përziera Marciale (MMA). Në këtë rrugëtim të ri Denisi ka zhvilluar katër lufta dhe të katërtat i ka fituar. Të fundit në një turnir në Slloveni fitoi dy gara, Angelo Horinin e mposhti për 1 minutë e 30 sekonda dhe Potoçnik Blaz pas tre raundeve. “Jam shumë i përgatitur dhe këtë e dëshmova edhe në Slloveni. Thjesht jam një ‘tanke’ dhe i papërballueshëm për kundërshtarët”, ka shtuar ai, duke folur edhe për sportin e Arteve Marciale të Përziera (MMA). “Nuk është aspak lehtë të merresh me këtë sport, por kur ke besim në vete dhe përgatitja nuk të mungon, atëherë gjithçka është e thjeshtë. Ndaj kundërshtarëve në të shumtën e rasteve ndihem superior”, ka deklaruar Zumberi, i cili planifikon t’i zhvillojë edhe një apo dy luftëra në amatorë e më pas të kalojë në profi.

Më pas sportisti 23-vjeçar ka folur edhe për sportistët e shumë shqiptarë që po lënë gjurmë në botë. “I përcjell shumicën e sporteve kur kam kohë të lirë dhe shoh çdo ditë e më shumë shqiptarë që lënë gjumë me suksese të jashtëzakonshme nëpër botë. Kjo është një gjë e mirë se po kallëzojmë se jemi një popull që luftojmë dhe nuk dorëzohemi asnjëherë për t’i arritur synimet”, ka shtuar ai.

Denisi asnjëherë nuk pushon së dashuruari Kosovën dhe Shqipërinë. Në këtë bisedë ai ka treguar se çdoherë kur ka pushim e viziton vendin e prejardhjes dhe këtu thotë se mbushet me energji. “Dua të jam i sinqertë, se vetëm në Kosovë plotësohem në shpirt. Sa herë kam pushim vij me dëshirën më të madhe. Këtu është vendi im. Po ashtu, është një pjesë e madhe e familjes dhe njerëzit janë shumë të dashur. Çdo kund ekziston mirëpritja, e cila nëpër shumë vende të botës mungon”, ka treguar Denisi. “Kam vizituar të gjitha qytetet e Kosovës, por edhe shumë të Shqipërisë. Di edhe nga historia dhe për vuajtjet e popullit shqiptar. Këtë e trashëgoi nga familja që ka dhënë kontribut në rrugën për çlirim. Axha ynë, atdhetari Hamid Zumberi, ishte plagosur në protesta për padrejtësitë ndaj popullit shqiptar, e deri te lufta e fundit çlirimtare ku nuk mungoi kontributi. Prandaj me dëshirë e vizitoj Prekazin, vendin e rënies së komandantit legjendar me familje. Një sakrificë që në pak vende të botës mund ta dëgjosh. Pastaj edhe vendet e tjera ku trimat me flijimin e tyre sollën lirinë. Kjo histori e vendit tim është edhe një motiv i madh për mua si shqiptar të luftoj drejt ngritjes sa më lart në këtë sport”, ka shtuar Zumberi.

Në fund sportisti Denis Zumberi ka zbuluar edhe një dëshirë të madhe që e ëndërron ta realizojë në karrierën e tij. “Përveç sukseseve që synoj t’i arrij në sport, dëshira ime e madhe është që një ditë të zhvilloj një meç në Kosovë, pse jo në Pejë”, ka përfunduar Zumberi.

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vdekjes së artistit të njohur, Liam Payne, në Buenos…