Zv/drejtori i RTK-së reagon ndaj akuzave për “lidhje me pushtetin e LVV-së”

30 janar 2022 | 18:40

Akuzat e Partisë Socialdemokrate për lidhje me qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, zëvendësdrejtori i ri i Radio Televizionit të Kosovës, Arsim Halili i ka vlerësuar të pabaza.

I emëruar të premten në pozitën e zëvendësdrejtorit të RTK-së, Halili u akuzua sot nga Dren Kukaj, anëtari i Kryesisë së PSD-së, për udhëheqjen e një “fushate denigruese ndaj NPB-së” dhe për shpërfaqjen e bindjeve homofobike.

Në reagim ndaj akuzave për ofendimin e komunitetit LGBTI përmes një statusi në rrjetet sociale pesë vite më parë, Halili u shpreh sot se shkrimi i tij, i lidhur me personat LGBTI, ka përmbajtje sarkastike.

“Sa i përket çështjes së ngritur ka qenë një status me sarkazëm i bërë në vitin 2016 lidhur me zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave”, tha ai.

Për këtë çështje, ai tha se e ka fituar një kontest gjyqësor ndaj menaxhmentit të RTK-së, të cilët e kishin pezulluar nga puna.

“ Unë e kam sqaruar pozicionin tim me kohë dhe për mua është një kapitull i mbyllur me vendim Gjykate që në vitin 2018 kur e kam fituar rastin pasi e kam paditur RTK-në për shkelje të të drejtave nga marrëdhënia e punës si shenjë hakmarrje për shkak të aktivitetit sindikal”, tha zëvendësdrejtori i ri i RTK-së.

Funksionari i lartë ekzekutiv i televizionit shtetëror tha se është “idhtar dhe mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut”.

“Duhet të jemi të lumtur që jetojmë në një kohë të lirë, ku secili mund dhe ka të drejtë t’i gëzoj të drejtat e tij, të dashuroj dhe të ndihet ashtu si do, pavarësisht dallimeve”, tha Halili.

Ndërkaq, në lidhje me akuzat e Kukajt kundrejt tij për kryesimin e një fushatë të sinkronizuar kundër projekteve të NPB-së, “në plotëni me të gjithë ministrat, asambleistët e zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes”, ai tha se pretendimet e tij janë të bazuara.

Sipas Halilit, projekti i NPB-së të cilin e ngriti në diskutim Kukaj, “po hetohet zyrtarisht nga prokuroria”.

“Reagimi i Z. Kukaj lidhet me hulumtimin tim si banor i lagjes Lakrishtë rreth projektit të dyshimtë 120 milionësh afaristo banesor i cili po hetohet zyrtarisht nga Prokuroria Speciale për shkak të pretendimeve të bazuara për dhjetëra shkeje ligjore të cilat i kam identifikuar në vazhdimêsi”, tha ai në një përgjigje me shkrim për Paparacin.

“Si pasojë e këtyre shkeljeve është shkaktuar skandali mjedisor i shkatërrimit të azbestit kancerogjen i cili është vertetuar nga laboratori i pavarur gjerman”.

Dren Kukaj, zyrtari i PSD-së, e cilësoi “megafon të LVV-së” Arsim Halilin. Kësisoj, tha ai, vendosja e Halilit në pozitën e zëvendësdrejtorit të RTK-së i shërben “kapjes së RTK-së”.

Kukaj tha se fushata e udhëhequr nga Halili, në sinkron me njerëzit e LVV-së, e ka dërguar ndërmarrjen e NPB-së “buzë falimentimit për shkak të veprimeve të jashtëligjshme që i kanë ndërmarrë kundrejt saj tash e sa muaj”.

“Arsim Halili qenka zgjedhë zëvendës drejtor i përgjithshëm i RTK-së. Ky person tash e sa muaj për gati çdo ditë ka udhëhequr një fushatë denigruese ndaj NPB-së. Ai nuk ishte i vetëm. Ishte i sinkronizuar në plotëni me të gjithë ministrat, asambleistët e zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes që sot e kanë vendosur këtë ndërmarrje buzë falimentimit për shkak të veprimeve të jashtëligjshme që i kanë ndërmarrë kundrejt saj tash e sa muaj”, u shpreh Kukaj.

Momentalisht projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë” është i pezulluar.

Vendimin për pezullim e ka nxjerrë Ministria e Ambientit në muajin tetor të vitit të kaluar, pas dyshimeve të ngritura për shkatërrim mjedisor përmes azbestit, gjatë rrënimit të objekteve që ndodheshin në pronën e NPB-së.

Asbesti është një material që gjendet në pothuajse të gjitha ndërtesat e vjetra në kryeqytet.

Kontrata, përmes Avokaturës Shtetërore, është dërguar me Kallëzim Penal në Prokurori Speciale e cila veten e ka shpallur jo kompetente dhe është iniciuar rast në Gjykatën themelore për të anuluar këtë kontratë.

Deri më tani është mbajtur seanca në gjykatë në lidhje me këtë çështje dhe palët janë në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 15-vjeçare humbi jetën mbrëmë tragjikisht në Prishtinë, pasi ra…