Zv/kryeministri Bislimi: Faton Hajrizi është kriminel

19 korrik 2024 | 20:09

Zv/kryeministri i parë, Besnik Bislimi, e ka quajtur kriminel Faton Hajrizin – personin që u vra sot nga Serbia.

Në një intervistë, Bislimi thotë se Faton Hajrizi është kriminel dhe vendin e ka pasur në burg.

“Ne nuk kemi konstatime. I gjithë konstatimi, e gjithë storja me të cilën po manipulojnë tani më shumë se 24 orë është një pasaportë e gjetur. Dhe mbi një pasaportë është ndërtu një roman. Që kjo pasaportë i takon një personi, ai ka ikë nga burgu… pjesa tjetër përtej pasaportës është produkt i makinerisë propaganduese të Beogradit me në krye Ivica Daciqin. Mendoj se duhet të shihet si e tillë. Për Kosovën, personi që ka ikë është person i dënuar për vepra penale, është kriminel dhe vendin e ka prapa grilave”, tha ai Bislimi, raporton Insajderi.

Bislimi po ashtu ngrit pikëpytje se pse Faton Hajrizi zgjodhi Serbinë për të ikur nga Kosova, e jo Shqipërinë.

Ai e ka kritikuar edhe propagandën që po bëhet nga Serbia lidhur me rastin e Faton Hajrizit.

“Në sytë e Kosovës ai është kriminel dhe në narrativen kosovare krimineli e ka vendin në burg. Por ajo që mendoj që nuk po diskutohet dhe do të duhej të diskutohej përtej propagandës që po e shpërfaqë Serbia është fakti që kur ky person ka dalë nga burgu, ka ikë nga burgu dhe ka trajtuar opsionet për ikje në një vend të sigurt dhe mos harroni ai ka thënë jam në një vend aq të sigurt sa nuk mund të më gjeni kurrë. Ai ka pas opsionin e ikjes drejt Shqipërisë. Ne me Shqipërinë kemi kalimin e integruar të kufirit që është kalim i lehtësuar i kufirit, kemi shumë zona ku kalimi bëhet i lehtë dhe nuk kemi asnjë bazë ushtarake. Në anën tjetër e kemi Serbinë, vend armik që i ka 48 baza dhe është kufiri të cilin Serbia e ruan më së miri nga të gjithë kufijtë e vet”, ka thënë Bislimi në KTV.

Bislimi ka thënë se vendet mike e dinë qartë se çfarë narrative po do të ndërtojë Serbia.

“Ne i kushtojmë zero rëndësi propagandës së Daciqit. Vendet anëtare, vendet mike  e kanë të qartë dhe e dinë shumë mirë se cila është narrativa që po don me kriju Serbia: ‘Ne kemi kriminelë, ne jemi strehë e kriminelëve por edhe Kosova nuk është më mirë’. Ata po mendojnë që e pastrojnë vetën duke e njollosur Kosovën”, ka thënë Bislimi.

Zëvendëskryeministri u shpreh se Faton Hajrizi për Kosovën është një person i dënuar për vepra penale. Sipas tij, Kosova e konsideron kriminel Hajrizi, ndërsa Serbia e sheh hero Milan Radoiçiqin, organizatorin e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Bislimi ka thënë se Serbia po mundohet të manipulojë me vetëm një pasaportë të gjetur.

/Insajderi.org/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liridona Shala, e dashura e Faton Hajrizit, ka publikuar fotografi…